Bizneset shqiptare po punësojnë gjithnjë e më tepër të huaj. Kushtet e punës e të akomodimit si dhe paga më e mirë në krahasim me vendet e tyre të origjinës, janë ndër arsyet që të huajt zgjedhin vendin tonë. Të tillë janë Kamal, Hashar dhe Raxhic nga India, të cilët punojnë në një pikë karburanti në Vlorë. Ata janë detyruar të lënë familjet e tyre, me shpresën se një ditë do të mund t’i tërheqin edhe ata.
“Për momentin jam vetëm, familja ime nuk ka ardhur ende. Më duhet të përfundoj të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe më pas, ndoshta, edhe familja ime mund të vijë të jetojë këtu me mua. Gjuha është pak problem dhe më duhet të mësohem edhe me ushqimin, që është shumë ndryshe nga India. Sa u përket gjërave të tjera, gjithçka është në rregull. Jam i kënaqur me punën, kushtet dhe pagesën. Siç thashë, vendi është i bukur dhe më pëlqen”, tha Kamal nga India.
“Si kalove, është një shprehje që e përdor në përditshmëri. Unë jam vetëm këtu. Familja ime ndodhet ende në Indi, por të shohim në të ardhmen çfarë do të ndodhë. Shpresoj që ata të vijnë. Më pëlqen Shqipëria, vendi dhe njerëzit. Ndihem mirë edhe me kushtet e punës që kemi gjetur këtu. Është një vend i qetë pune dhe pa probleme” tha Hashar.
“Unë jam i martuar dhe kam dy fëmijë në Indi. Shpresoj që familja ime të më bashkohet sa më shpejt. I ndihmoj prej këtej, por natyrisht që më mungojnë. Të ardhmen e shoh në Shqipëri”, nënvizoi Raxhic.
Edhe pse pjesa më e madhe e të huajve vazhdon të jetë e angazhuar në turizëm, për shkak të nevojës së bizneseve për fuqi punëtore, ata punojnë edhe në supermarkete, magazina dhe aktivitete të tjera tregtare.
Bizneset vlerësojnë se punësimi i tyre ka ndihmuar në plotësimin e mungesës së stafit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Komente









