Saranda po kalon ditët më të ngarkuara të verës. Në shëtitore, port dhe në plazhe shihen qindra turistë të huaj.
Një turiste nga Ukraina, që shkel për herë të parë në Sarandë, thotë se plazhet janë shumë të bukura, por çmimet disi të larta.
"Kam bërë një shëtitje me varkë dhe kam parë disa vende shumë të bukura. Kam vizituar edhe Plazhin e Pasqyrave... Restorantet më duken disi të shtrenjta. Çmimet e apartamenteve janë të arsyeshme."
Përtej vlerësimeve për natyrën dhe bregdetin, shumica e turistëve të huaj shprehen të kënaqur me pushimet në Sarandë, duke veçuar plazhet, mikpritjen dhe atmosferën e qytetit.
"Deri tani gjithçka është shumë bukur. Plazhet janë fantastike dhe po e shijojmë shumë qëndrimin. Sapo kemi ardhur nga Korfuzi... Deri tani do t'i jepja notën 10 nga 10. Mbresa e parë ishte panorama mahnitëse."
"Ka qenë shumë bukur gjatë kohës së shkurtër që kemi kaluar këtu. Moti është fantastik. Ende nuk kemi provuar ushqimet tradicionale, por mezi pres t'i provoj."
Edhe për një çift nga Filadelfia, udhëtimi në Shqipëri lidhet me një ngjarje familjare.
"Kemi ardhur këtu për detin. Uji është i pastër, plazhet janë shumë të këndshme dhe njerëzit janë tepër mikpritës. Gjithashtu kemi ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në një dasmë."
Sipas operatorëve turistikë, këtë vit sezoni nisi më herët se zakonisht dhe rezervimet vijojnë normalisht edhe për muajin gusht.
“Dominojnë të huajt në këtë periudhë, janë kryesisht turistë në moshë të re që vijnë me tragete nga Korfuzi por dhe në rrugë tokësore. Protesta nuk ka pasur ndikim në rezervime ato vazhdojnë normalisht për korrikun dhe gushtin”, tha Arben Çipa, kreu i operatoreve turistike per jugun.
Vitin e kaluar në vendin tonë hynë rreth 11.7 milionë shtetas të huaj, ku pjesa më e madhe ishin turistë. Saranda mbetet një nga destinacionet kryesore, me pritshmëri të larta edhe për këtë sezon...
Komente









