Biznesi akuza për Berishën,
punojmë në kushte të pabarabarta

Biznesi akuza për Berishën,<br />punojmë në kushte të pabarabarta
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha nuk ka mënduar kurrë, para se të shkonte dje në një takim konsultativ me përfaqësues të biznesit, kryesisht nga rradhët e përkrahësve të tij, se do të ndodhej përballë një lumi ankesash për legjislacionin, praktikat e taksave, si dhe me kërkesën për shlyerje të detyrimeve të qeverisë ndaj firmave kontraktore, që kanë arritur në më shumë se 200 milionë euro. Por, ai është ndeshur edhe me akuza të drejtpërdrejta për konkurrencë të pandershme, të orkestruar nga ministrat e tij.

Një nga pjesëmarrëset në takimin e djeshëm ka ngritur me forcë zërin, dukje kërkuar të dijë nga kryeministri a është ai në dijeni për bllokimin që i bëhet biznesit të kafesë nga njerëz të veshur me pushtet në qeveri.

“Kur do të jenë të gjitha bizneset në pozita të barabarta”, pyeti ajo Berishën, duke treguar me dorë nga kreu i Financave Ridvan Bode, i përfolur për pjesëmarrje të fshehtë në këtë sektor. “Po flasim për konkurrencën, por çfarë të bëjmë për ata që kemi këtu përballë”, shtoi ajo.

Berisha e kaloi problemin në kontrabandën që, sipas tij ka ekzistuar dhe ajo ekziston nëpër dogana, duke pretenduar se aktualisht zhdoganohet disa herë më shumë kafe se sa disa vite më parë. Kreu i qeverisë tha se pak kohë më parë kishte marrë një SMS nga prodhues kafeje, që e sinjalizonin për një fenomen të tillë dhe kishte porositur drejtorin e doganës ta ndiqte çështjen më tej.

Ndërmjet të tjerësh, prof. Sazan Guri spikati me fjalët e tij, duke thënë se “qeveria e konsideron biznesin vetëm si ‘kali që tërheq karrocën’”. Në mbështetje të kësaj, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jakaj, tha se bizneset kanë dëgjuar se ekziston një varjant për të paguar detyrimet qeveritare për firmat që kanë kryer punime, kryesisht në infrastrukturë.

Ai ka shprehur mëndimin edhe të kolegëve të tij, duke theksuar se, në rast se qeveria dëshiron seriozisht të bëjë një gjë të tillë, atëhere kjo mund të realizohet nëpërmjet zbritjes së detyrimeve të biznesit ndaj qeverisë, si psh në drejtim të pagesës së TVSH-së apo të taksave të tjera, që mund të balancohen me atë çka ka borxh Ekzekutivi ndaj tyre.

Sipas Jakajt, ligji për grupimet e biznesit nuk është në rregull dhe duhet ndryshuar. Ai vuri në dukje faktin se, nga 12 Dhoma tregtie, që kanë qenë më parë, tani janë vetëm gjashtë, duke e bërë më të pambrojtur e më të paorganizuar qendrimin e tyre ndaj problemeve që kanë me institucionet. Sipas tij, kjo edhe për investitorët e huaj, që njohin e bashkëpunojnë me Dhomat, është një shenjë negative.

Po kështu, Jakaj deklaroi se bizneset janë në pritje të hyrjes në fuqi të heqjes së TVSh-së për sektorë të caktuar, si dhe të incentivave për nxitjen e punësimit, kryesisht të të rinjve.
Këtë kërkesë e avancoi edhe Vigan Dervishi i industrisë së përpunimit të qumështit, duke theksuar se heqja e TVSH-së mund të shtrihet edhe më tej, kryesisht në produktet e bujqësisë e blegtorisë, që do të ndihmonte 50 për qind të popullsisë së vendit.

Ai ka kërkuar që të merren masa për mbrojtjen e produktit vendas, jo me tarifa doganore, por me anë të disa shtesave të vogla në tarifim, që përdoren në favor të fermerëve, siç është praktikë e lejuar në të gjitha vendet e botës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Militantët mblidhen para Bashkisë së Tiranës, forca të shumta policie rrethojnë zonën

Protesta e PD/ Militantët mblidhen para Bashkisë së Tiranës, forca të shumta policie rrethojnë zonën