Në fillim të muajit mars këto dyqane tregtonin veshje, këpucë, elektro-shtëpiake, pjesë këmbimi apo edhe mjete elektronike. Tashmë kanë ulur përfundimisht qepenat.
Sektori i modës është një nga më të goditurit si pasojë e pandemisë COVID-19. Me dhjetëra biznese në kryeqytet janë mbyllur dhe kryesisht janë dyqane të veshjeve dhe këpucëve e që tashmë i kanë dhënë fund aktivitetit të tyre.
Ulja e qepenave nga këto biznese që janë kryesisht të veshjeve lidhen me një sërë faktorësh.
“Njerëzit kanë akoma frikë dhe nuk duan të shpenzojnë.
Vetëm për të ngrënë do të blihet dhe një gjë që duhet do ta blejmë. Nuk e kursejmë, ajo që duhet duhet”, thonë disa tregtare.
Tregtarët thonë se shitjet janë thuajse zero, dhe se biznesi i vogël është më i rrezikuari nga falimentimi.
“A keni pasur shitje në këtë periudhë?
Jo shumë dobët. Sidomos në këtë kohë pandemie kemi deri në 50% rënie. Më së shumti na ka ndikuar pandemia sesa sezoni veror. Krahasim me një vit më parë shumë shumë dobët.
Nuk ka shitje fare është bllokadë gjithandej. Tek ne rrezikohet gjithçka sidomos biznesi i vogël. Biznesi i vogël duhet ndihmuar por asnjë nuk mendon asnjë për ne.
Kemi pasur shumë pak shitje.
Shitje nuk është se kemi pasur. Me thënë të drejtën është edhe periudha e verës tani që ndjehet jashtë mase”, shprehen disa të tjerë.
Përveç mungesës së produkteve të reja pasi janë anuluar porositë tregtarët thonë se edhe ulja e çmimeve për mallin stok, nuk po jep efekt.
“Keni marrë porosi nga jashtë?
Jo jo, kemi marrë vetëm një pjesë të sezonit që e kemi porositur dhe një pjesë e kemi anuluar.
A ju ka mbetur shumë mall stok?
Patjetër! Do i nxjerrim përsëri me s’konto. I kemi ulur edhe çmimet por përsëri nuk bën punë”, deklarojnë tregtarët.
Mbyllja e biznesit në qendër të vendit është një sinjal, pesimizmi për ekonominë e vendit, e cila pritet të ketë një rimëkëmbje shumë të vështirë sipas parashikimeve të deritanishme.