TIRANË, 10 Qershor/ATSH/- Biznesi i vogël ka peshën më të madhe të borxhit tatimor. Drejtori i Shërbimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Erion Prifti deklaroi të mërkurën se vlerën më të madhe të borxhit tatimor e mban biznesi i vogël, kryesisht për mospagim taksash dhe mosdeklarim të sigurimeve shoqërore.
Sipas Priftit, vetëm gjatë këtij viti është zbuluar një shumë prej 10.4 miliardë lekë si borxh i paraportuar ndonjëherë. Ndërkohë thekson ai, gjatë këtij viti kemi një rritje të përdorimit të kasave fiskale dhe të lëshimit të kuponit tatimor.
Që në fund të vitit 2013 ka ndryshuar rrënjësisht mënyra e administrimit tatimor, duke sjellë një forcim të procesit monitorues të të gjitha funksioneve të Administratës Tatimore si dhe procesi i administrimit të mbledhjes së borxhit tatimor, thekson DPT në sqarimin e saj. Kështu është pastruar regjistri i tatimpaguesve me mosdeklaruesit, duke ulur efektin e prodhimit të gjobave fiktive dhe të pambledhshme.
Nga ky proces janë kaluar në regjistrin pasiv më shumë se 8.000 tatimpagues, kryesisht subjekte të biznesit të vogël, të cilët kishin mbi 10 vjet që nuk deklaronin. Evidentimi i tatimpaguesve të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik./a.gjonaj//m.m/











