Biznesmeni amerikan pro-Trump thur planin për të blerë tubacionet ruse të gazjellësit Nord Stream 2

Biznesmeni amerikan pro-Trump thur planin për të blerë tubacionet ruse të gazjellësit Nord Stream 2

Stephen Lynch

Një biznesmen amerikan pro-Trump, i cili më parë ka punuar ngushtë me kompaninë shtetërore ruse të naftës, Rosneft, po kërkon të blejë kompaninë operative me bazë në Zvicër që kontrollon tubacionet e gazsjellësit të Rusisë Nord Stream 2, sipas Thesarit të SHBA-së dhe dokumenteve të tjera të marra nga The Washington Post.

Lëvizja është bërë nga ish-sipërmarrësi amerikan me bazë në Moskë, Stephen Lynch, me këtë të fundit që po shtron terrenin që tubacioni i diskutueshëm i gazit natyror midis Rusisë dhe Gjermanisë të riaktivizohet në rast se arrihet një armëpushim në luftën në Ukrainë, tregojnë dokumentet.

Manovra vjen ndërsa Europa përgatitet që presidenti i sapozgjedhur në SHBA Donald Trump të shtyjë negociatat midis Moskës dhe Kievit dhe ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz kërkon të pozicionohet si ndërmjetës i paqes. Scholz foli në telefon me presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar për herë të parë në gati dy vjet.

Lynch po e portretizon ofertën e tij si një blerje që do “çrusizonte” rrjetin e gazsjellësit dhe do e vendoste atë nën kontrollin amerikan, sipas dokumenteve, duke përfshirë një kopje të aplikimit të Lynch dërguar në shkurt në Zyrën e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), e cila zbaton sanksionet e SHBA-së. Kompania zvicerane, Nord Stream 2 AG, u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Duke argumentuar se Nord Stream 2 po përballet me procedura falimentimi që sipas ligjit zviceran do fillojnë më 1 janar 2025, një person i përfshirë në ofertën e Lynch tha se shitja te biznesmeni amerikan mund të jetë mundësi më e pëlqyeshme për pronarin kryesor të Nord Stream 2, Gazprom, që ka monopolin shtetëror të gazit, pasi Lynch është një person tek i cili Rusia ka një nivel të lartë besimi.

Gazprom nuk ka komentuar në lidhje me këtë gjë. Zyra e Nord Stream 2 është e mbyllur dhe administratori i kompanisë Transliq tha se nuk mund të komentonte mbi biznesin në vijim.

Lynch punoi ngushtë me Rosneft, një kompani ruse nafte e kontrolluar nga shteti, në vitin 2007 në përpjekje për të blerë asete të huaja që i përkisnin kompanisë së madhe të naftës tashmë të zhdukur, Yukos, pronari i së cilës Mikhail Khodorkovsky u burgos në Rusi për 10 vjet përpara se të lejohej të jetonte në mërgim jashtë Rusisë.

Pjesëmarrja e Lynch në shitjen e detyruar të aseteve të Yukos, së bashku me një konsorcium investitorësh të tjerë të huaj me bazë në Moskë, u përball me kritika nga ish-drejtuesit e Yukos se ai po vepronte për të ndihmuar në legjitimimin e marrjes së Yukos nga shteti rus. Gjykata e Lartë në Holandë më vonë zbuloi se falimentimi i Yukos ishte kryer në kundërshtim me “parimet themelore ligjore” dhe se Lynch dhe investitorët e tjerë nuk kishin titull mbi asetet që fituan në shitje.

Aplikimi i OFAC dhe dokumentet e tjera argumentojnë se një blerje nga Lynch - i cili po përdor të njëjtën kompani, Monte Valle, që ishte përfshirë në tenderin për asetet e Yukos - do ishte në interes të Shteteve të Bashkuara.

“Një marrje nga konsorciumi amerikan i udhëhequr nga Lynch do çonte përpara disa objektiva të rëndësishme të politikës së jashtme të SHBA-së dhe aleatëve dhe është një hap i natyrshëm pasues ndaj sanksioneve të SHBA-së ndaj Nord Stream, duke e hequr atë nga pronësia ruse dhe duke siguruar se mund të përdoret vetëm për të çuar përpara interesat kombëtare”, tha Lynch në një shënim të nëntorit drejtuar zyrtarëve amerikanë që parashtrojnë marrëveshjen.

Një zyrtar amerikan vuri në dyshim arsyetimin mbi çdo marrëveshje që mund të hapte rrugën për rihapjen e gazsjellësit.

“Nuk ka asnjë element në ringjalljen e Nord Stream 2 që është në interesat e SHBA-së tani,” tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

“Duke filluar me pushtimin e Ukrainës, njohja se gazi rus ishte një mekanizëm kontrolli mbi Evropën ishte diçka që ne nuk na pëlqente. Menduam se ishte e rrezikshme dhe vetë evropianët erdhën në atë përfundim dhe ndaluan blerjen e gazit rus.”

Një ish-zyrtar i inteligjencës amerikane tha se pretendimi i Lynch se blerja e tij do e sillte rrjetin e tubacioneve nën kontrollin e SHBA ishte “shumë i brishtë”.

Partnerët e kompanisë Monte Valle të Lynch u përgjigjën në një deklaratë duke thënë: “Stephen Lynch është një patriot dhe biznesmen amerikan që ndjek ligjet amerikane dhe vepron së pari dhe gjithmonë në interesin më të mirë të SHBA-së”.

OFAC nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Lynch ishte në gjendje të blinte një tjetër aset shtetëror rus të regjistruar jashtë vendit, degën zvicerane të bankës shtetërore ruse Sberbank, në vitin 2022, duke lejuar që të hiqen sanksionet e vendosura nga SHBA-ja pasi OFAC i dha atij licencën për ta blerë atë.

Në aplikimin e tij për Nord Stream 2, Lynch vuri në dukje rolin e tij në marrëveshjen e Sberbank, duke thënë se ajo tregoi përvojën e tij në “derusifikimin” e aseteve të sanksionuara ruse dhe aftësinë e tij për të punuar me OFAC dhe me qeverinë zvicerane.

Në dokumentet e tjera të ofruara për The Post, Lynch tha se ai kishte informuar disa herë ambasadorin e dikurshëm dhe të tanishëm zviceran në Shtetet e Bashkuara për marrëveshjen e propozuar. Në një dokument të nëntorit, ai tha se kishte “bidnjen se Zvicra do mbështesë planin që i nënshtrohet një licence OFAC”.

Një zëdhënës i qeverisë zvicerane konfirmoi se bisedat u zhvilluan me kërkesën e Lynch, por tha se “Ambasada në Uashington ose qeveria zvicerane në asnjë mënyrë nuk garantuan mbështetjen e tyre” për ofertën e propozuar të Lynch.

Gazsjellësi Nord Stream 2 ka qenë jashtë funksionit që kur Scholz ndaloi certifikimin e tij më 22 shkurt 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Gazsjellësi Nord Stream 2 ishte planifikuar të dyfishonte kapacitetin e Nord Stream 1 dhe megjithëse përfundoi në shtator 2021, nuk kishte hyrë në shërbim.

Një shpërthim në shtator 2022 dëmtoi tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, por la një degë të Nord Stream 2 ende funksionale.

Qeveria gjermane nuk pranoi të komentojë blerjen e propozuar nga Lynch të Nord Stream 2 ose të ardhmen e Nord Stream 2 nëse arrihet një zgjidhje paqeje midis Moskës dhe Kievit.

Scholz po përballet me një votë mosbesimi në dhjetor që ka të ngjarë t’i japë fund qeverisë së tij dhe disa kritikë në Berlin thonë se ai ka kërkuar të vonojë votimin ndërkohë që bën presion për një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Manovrimi ka nxitur frikën se një përpjekje për të rihapur Nord Stream mund të bëhet pjesë e një pakete marrëveshjeje me Rusinë që Scholz mund ta përdorë në përpjekje për të mbështetur pozicionin e tij në ekonominë gjermane.

“Unë mendoj se Scholz dëshiron të drejtojë fushatën zgjedhore si kancelar i paqes,” tha Arndt Freytag von Loringhoven, një ish-zëvendësdrejtor i Shërbimit Federal të Inteligjencës të Gjermanisë dhe ish-ambasador gjerman në Poloni.

“Shumë mendojnë se strategjia e tij është të ndërmjetësojë një lloj marrëveshjeje me Putinin që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe do e kthente Scholzin në pushtet.”

Lynch ka rreshtuar lobistë të fuqishëm gjermanë për të mbështetur marrëveshjen e tij, duke përfshirë Berlin Global Advisors, ku një ish-ambasador gjerman në Moskë, i cili udhëhoqi përpjekjet për nisjen e Nord Stream 2, Rüdiger von Fritsch, është një partner kryesor, sipas një prej dokumenteve të ofruara të The Post. As Berlin Global Advisors dhe as Fritsch nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Një rival politik, Roderich Kieseëetter, deputet i Unionit Kristian Demokrat, i cili shërben në Komitetin e Punëve të Jashtme të Bundestagut, tha se ai besonte se kishte një kontigjent në rritje në establishmentin gjerman që mbështet rivendosjen e lidhjeve me Rusinë teksa ekonomia gjermane po vuan.

Ai vuri në dukje raportet e bisedimeve të kanaleve të pasme me Moskën që udhëhiqen nga Matthias Platzeck, një ish-kryetar i Social Demokratëve të Scholz – gjatë kancelarit të Gerhard Schröder dhe Ronald Pofalla, një politikan i CDU-së që ishte shef i stafit të ish-kancelares Angela Merkel. “Gjermania është përsëri në rrugën e lidhjeve më të ngushta me Rusinë,” tha ai.

Të dhënat e ndara me The Post nga Dossier Center, një grup hetimor me bazë në Londër, i themeluar nga Khodorkovsky, tregojnë se Platzeck bleu bileta për të fluturuar në Moskë në nëntor 2023 dhe shkurt 2024, ndërsa Pofalla bleu bileta për të njëjtën kohë në shkurt 2024.

Gazeta gjermane Die Zeit raportoi në tetor se të dy do udhëtonin atë muaj në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, ku do takoheshin me Viktor Zubkov, ish-kryeministrin dhe shefin e Gazprom, si dhe me zyrtarë të tjerë rusë sipas dokumenteve të cituar nga gazeta.

Platzeck tha se çdo udhëtim që ai bëri, përfshirë në Moskë, ishin si “qytetar privat” dhe jo me kërkesë të ndonjë institucioni apo individi. Ai nuk pranoi të komentojë më tej apo t’u përgjigjet pyetjeve nëse u zhvilluan takimet me zyrtarët rusë. Pofalla nuk iu përgjigj një kërkese për koment./ Washington Post

Foto: Pjesë e një stacioni marrës të lidhur me sistemin e tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2 në Lubmin, Gjermani

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi