Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për deputetin socialist Erjon Braçe, i cili është paditur për “Shpifje” nga biznesmeni Anduel Çekrezi.
Në seancën e kësaj të mërkure, palet paraqitën provat përfundimtare. Çekrezi paraqiti disa postime të bëra në rrjetet sociale nga Erjon Braçe, për të cilat kërkoi të administrohen nga gjykata.
Ky i fundit pretendon se Braçe ka shpifur kur ka thënë se Çekrezi ka zaptuar tokën e fshatarëve në Imshtë të Lushnjes, pranë lumit Seman, për të ndërtuar park FotoVoltaik. Ndërkohë biznesmeni thotë se tokën e ka blerë.
Ndërsa deputeti duke qenë se ishte i pranishëm edhe prokurori i çështjes Ols Dado, kërkoi të hetohet ndër vite e gjithë procedura e ndjekur dhe abuzimet që janë bërë me privatizimet për tokat buzë lumenjve dhe liqeneve që janë shtetërore.Braçe solli një sërë ligjesh ndër vite, për të mbështetur kërkesën e tij.
Pas daljes nga Gjykata e Posaçme, Braçe tha se të gjithë zyrtarët që kanë vepruar në tjetërsimin e pronës shtetërore duhet të hetohen.
“Jemi para një fakti penal tashmë shumë konkret. Mendoja se mjaftonte ligji i vitit 2022 dhe VKM që përcakton qartë që toka nga vija e lumit te argjinatura është tokë shtetërore e patjetërsueshme, por meqë zotërinjtë në seancën që shkoi insistuan dhe unë doja të vinim në këtë pikë, kam depozituar pranë gjykatës ligjet bashkë me vendimet respektive të Këshillit të Ministrave që e përcaktojnë shumë qartë që toka nga vija e lumit në argjinaturë është tokë e shtetit dhe s’mund të parashkruhet. Të gjithë zyrtarët e institucioneve deri kur ka ndodhur transaksioni i fundit dhe tjetërsimi i fundit i asaj prone duhet të vihen nën hetim sepse kanë shkelur ligjin duke tjetërsuar atë pronë në favor të të tretëve. Unë mendoj se njëri duhet bërë shembull, pra në gjithë këtë histori tjetërsimi pronash publike në të gjithë Shqipërinë në favor të privatit në mënyrë të pamerituar dhe në shkelje të ligjit, një rast duhet bërë shembull. Askush nuk duhet të guxojë që të hyjë në tokat e lumenjve. Në kushtet në të cilat ndodhemi, në kushtet e fatkeqësisë natyrore, për shkak të tjetërsimit të tokave dhe shtretërve të lumit, dikush duhet të ndëshkohet që të tjerët mos guxojnë më atje”, tha Braçe pasi doli nga GJKKO.
Biznesmeni Çekrezi ka kërkuar në gjykatë që Braçes t’i ngihet dhe akuza e ‘fyerjes’, ndërsa deputeti i ka mohuar pretendimet me argumentin se ai nuk ka përmendur emra.
Seanca e radhës ku palët do të japin konkuzionet dhe gjykata do të shprehet me vendim u la më 3 qershor ora 11.00.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











