Biznesmeni i arratisur, Dushko Knezheviq, ekstradohet në Mal të Zi nga Britania

Biznesmeni i arratisur, Dushko Knezheviq, ekstradohet në Mal të Zi nga Britania

Dushko Knezheviq

Biznesmeni i akuzuar Dushko Knezheviq, është ekstraduar në Mal të Zi nga Britania e Madhe më 30 prill, njoftoi Administrata e Policisë e Malit të Zi.

Mali i Zi ishte në kërkim të tij për disa procedime penale.

“Për shkak të dyshimit se ka kryer vepra penale të shpërdorimit të pozitës në veprimtari biznesi me anë të nxitjes, krijimit të organizatës kriminale dhe pastrimit të parave”, thotë policia.

Përkatësisht, Prokuroria Speciale e Shtetit ishte në kërkim të Knezheviqit, pronar i Atlas Group, që nga korriku i vitit 2019 dhe ndaj tij janë ngritur tri aktakuza – për organizim të grupit kriminal, pastrim parash dhe keqpërdorime në ekonomi.

Që prej fillimit të hetimeve, ai ka banuar në Britaninë e Madhe, shtetas i së cilës është.

Ekstradimi u krye herët në mëngjes me një fluturim special mes Londrës dhe Podgoricës.

Procedura e ekstradimit u krye nga Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi, nga njëra anë, dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Britanisë së Madhe, me mbështetjen e Zyrës së oficerëve ndërlidhës të Britanisë së Madhe në Beograd dhe Ambasadës së tyre në Podgoricë.

Knezheviq do të dërgohet në Gjykatën e Lartë në Podgoricë.

Katër ditë para ekstradimit, ish-kryeministri Dritan Abazoviq tha se do të ishte mirë që presidenti i Atlas Group, Dushko Knezheviq, të ishte dëshmitar i mbrojtur në Mal të Zi dhe t'i tregonte prokurorisë gjithçka që di për bizneset dhe aktivitetet ekonomike të ish-qeverisë.

Për vite me radhë, Knezheviq konsiderohej nga publiku vendas si njeri i afërt me ish-kryeministrin Millo Gjukanoviq. Ai merrej me biznese miliona dollarëshe - banka, ndërtim, arsim, media...

Millo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, të zhvilluar në Pragë, më 14 shtator.

Në fillim të vitit 2020, Gjykata e Lartë e Podgoricës konfirmoi aktakuzën kundër Knezheviqit në rastin “Karbon”, pasi dyshohet se së bashku me katër anëtarë të tjerë të grupit kriminal i ka shkaktuar dëm kompanisë Global Karbon dhe ka përfituar kundërligjshëm gati dy milionë euro.

Knezheviq është akuzuar edhe në rastin “Aeroportet”, ku së bashku me drejtorët e bankës së tij Atlas, Marko Nikoliq dhe Dijana Zeçeviq, dyshohet se kanë dëmtuar aeroportet e Malit të Zi për tre milionë euro.

Në vitin 2019 shpërtheu afera “Koverat”, kur Knezheviq publikoi një video ku shfaqej duke i dorëzuar, siç pretendonte, 97.500 euro ish-kryetarit të Komunës së Podgoricës, Slavoljub Stijepoviq.

Ai tha se ishin para për financimin e fushatës zgjedhore të autoriteteve të DPS-së dhe se këtë e ka bërë në marrëveshje me liderin e DPS-së, Millo Gjukanoviq.

Në dhjetor të vitit 2019, është ngritur një aktakuzë kundër Stijepoviqit për pastrim parash, ndërsa Knezheviq u etiketua si organizator i një grupi kriminal.

Në mars të vitit 2021, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe pezulloi procedurat kundër Stijepoviqit në aferën e fshehtë. Çështja u kthye për një gjykim të ri.

Knezheviq në mënyrë të përsëritur ka akuzuar ish-presidentin e shtetit dhe liderin e DPS-së, Millo Gjukanoviq, se po përpiqej të merrte punët dhe pronën e tij.

Përmes rrjeteve sociale, së bashku me mesazhet intriguese, ai ka publikuar një seri fotosh të përbashkëta me presidentin Gjukanoviq, miqtë e tyre të përbashkët, zyrtarë të DPS-së dhe drejtues të prokurorisë. REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Sllovenia e pafat, Serbia e barazon 1-1 në aksionin e fundit

Euro 2024/ Sllovenia e pafat, Serbia e barazon 1-1 në aksionin e fundit