Biznesmeni Ilir Karçini është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 5 vite burg, me akuzën se ka porositur tek Julian Sinanaj, vrasjen e biznesmenit të gazit, Pirro Bare.

Karçini akuzohet se ka paguar 150 mijë euro për eliminimin e biznesmenit tjetër të gazit, Pirro Baren, pas disa mosmarrëveshjeve mes tyre. Gjithsesi, për konfirmimin apo rrëzimin e akuzës së ngritur nga Prokuroria, pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.

Ilir Karçini u rikthye në burg me vendim të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, por Gjykata e Lartë ia ndryshoi masën e sigurisë pas apelit të avokatit, duke e lënë në arrest shtëpie me argumentin se nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe nuk mund të ndikojë në prishjen e provave pasi çështja ndodhet në Apel.

Në dëshminë e tij në prokurori, Karçini pohuar se është përfshirë qëllimisht në këtë histori vrasësish me pagesë. Ai e ka quajtur bashkëpunëtorin e prokurorisë, vrasësin me pagesë, Julian Sinanajn, si person të çmendur. Biznesmeni ka pohuar se nuk ka paguar asnjë cent tek Julian Sinanaj me qëllim vrasjen e kundërshtarit të tij në biznes Pirro Bare.

Shkarkimi i një anije me 1500 tonë gaz të lëngshëm ka qenë edhe shkaku që dy biznesmenët e gazit, Piro Bare, pronari i Romano Port dhe Ilir Karçini i Prima Gas, të bëhen armiq me njëri-tjetrin, armiqësi që do të shkonte deri në porositjen e një vrasjeje. E pikërisht, biznesmeni Karçini i cili sipas Prokurorisë duket se ka kontaktuar me kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj në Vlorë, duke u kërkuar eliminimin fizik të konkurrentit të tij, pronarit të Romano Port, Piro Bare. Dy vlonjatët më pas kanë vënë nën kontratë për krimin Julian Sinanajn, i cili u arrestua ditën që do të kryente vrasjen, pasi ishte spiunuar nga “kolegu” i tij, Ndriçim Gjokona.

Ndërkaq, konflikti midis Ilir Karçinit dhe Piro Bare për shkarkimin e anijeve me gaz të lëngshëm për djegie nga Prima Gas e Karçinit në 11 prill 2012 ka përfunduar edhe në Autoritetin e Konkurrencës. Karçini ka paditur Baren tek ky autoritet se pa të drejtë, nuk lejonte kompanitë Prima Gas të shkarkonte në Durrës anijen me 1500 ton gaz të lëngshëm, duke e detyruar që të shkonte në Vlorë, duke i rritur kostot kompanisë së Karçinit, e cila edhe pse fitoi mbi padinë nuk arriti të shmangë konfliktin me Baren.
 


dy.b/shqiptarja.com