Biznesmeni Arben Rreli, një nga trashëgimtarët e pronës ku sot janë ndërtuar kullat e Bashkim Ulajt te Diga e Liqenit, në dëshminë dhënë për hetuesit ka treguar detaje mbi kushtet e kontratës që familjet lidhën me avokatin Sokol Mëngjesi, sot në gjendje të rëndë në një spital në Athinë. Ai thotë se shumica e trashëgimtarëve nuk kishin mundësi të paguanin shpenzimet e avokatit, dhe ranë dakord me Sokol Mëngjësin duke firmosur një akt-marrëveshje që nëse fitonte procesin, 30% e sipërfaqes së tokës do t’i kalonte si kompensim për shërbimin e kryer.

Gjyqi është fituar në 2018-ën në Apel dhe 5 pjesëtarë nga trungu i trashëgimtarëve e kanë paguar avokatin. Ndërsa 3 pjesëtare - zbulon Rreli - nuk i shlyen detyrimet, mes tyre edhe Dritan Nano.

Biznesmeni Arben Rreli sipas dosjes hetimore, ka treguar se 3 ditë para se të sulmohej, avokati Mëngjesi e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar të takoheshin afër zyrës së tij në ish-bllok për t’i kërkuar ndihmë nëse mund të fliste me pjesëtarët e aktmarrëveshjes që nuk e paguanin.

Në takim, biznesmeni Rreli thotë se avokati i kishte treguar i shqetësuar se në muajin shkurt ishte takuar në kafe me Dritan Nanon i cili refuzoi t’i shlyente detyrimin. Në këto kushte – siç biznesmeni Rreli tregon nga biseda me avokatin- Mëngjesi i kishte thënë se do t’i drejtohej gjykatës, por Dritan Nano i cili ishte i shoqëruar nga 3 persona të tjerë ulur në tavolinën ngjitur, nisi t’i bënte presion.

Sipas kronologjisë së dëshmive, një nga 3 personat në kafe, ka qenë dhëndri i Nanos, Dorian Alia, i arrestuar për dhunën ndaj avokatit. 32-vjeçari insiston se përballja me avokatin më 29 maj ishte rastësore, teksa vetë ai ishte me dy kushërinjtë, Elton Kasaj dhe Drivald Alia, të shpallur në kërkim.

I riu ka dëshmuar se iu afrua avokatit por nuk i pëlqeu mimika që ai bëri, iu drejtua me fjalët:“ Çfarë janë këto gjoba që vendos” dhe avokati iu përgjigj se nuk e njeh fare, çka e nxiti sipas tij ta godasë vetëm me një grusht në fytyrë. Në fakt, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se pasi avokati bie në tokë ai goditet me shkelma në trup dhe kokë.

Provuar me pamje të kamerave të sigurisë, pas sulmit Dorian Alia ikën me një makinë, e cila rezultoi të jetë e Romario Tabakut, mikut të tij, i shpallur në kërkim, por thotë se i kërkoi ta çojë te liqeni pa i treguar se ç’kishte ndodhur. Ndërkohë, dy kushërinjtë sipas pamjeve pasi vrapuan nëpër lagje, hipin në taksi.

Në fakt, ashtu siç e paralajmëroi, avokati e paditi Nanon dhe prona e tij te Liqeni është bllokuar në hipotekë. Nga dëshmitë e mbledhur, rezulton se 58-vjeçari Dritan Nano ka dashur ta shesë pronën.