Pas përplajses fizike mes disa prej protestuesve të dielën, duket se ka nisur një fushatë online për t’i denoncuar personat e përfshirë në atë incident, duke i etiketuar si njerëz të dhunshëm e me prirje fashiste, edhe pse çuditërisht asnjë prej denoncuesve nuk është në gjendje t’i përmendë emrat e këtyre që tani po paraqiten gati si të huaj ndaj shpirtit të protestës.

Problemi është se shumë prej atyre që sot denoncojnë, dje dukeshin  krejt të pashqetësuar nga prania e tyre në shesh. Por këto grupe të dhunshme nuk u shfaqën papritur këtë fundjavë në protestë. Përkundrazi, ata jo vetëm kanë qenë aty qysh në fillim, por deri vonë janë shfaqur në publik si udhëheqës të saj, përmes fjalimeve, dhënies ose jo të të drejtës së fjalës dhe drejtimit të marshimit të përnatshëm nëpër Tiranë. Për më tepër, ata janë figura të njohura të rrjeteve sociale, retorika e të cilëve ka qenë e njohur edhe para protestës. Një retorikë që gjithnjë ka anuar nga banaliteti, një lloj nacionalizmi sipërfaqësor dhe agresiviteti maço. Pra, nuk është diçka që duheshin tri muaj protestë për t’u zbuluar.

E vetmja gjë që ndryshoi të dielën ishte orientimi i agresivitetit të tyre. Sa kohë që energjia e tyre kishte në shenjestër qeverinë dhe institucionet, edhe ajo pjesë e vetëidentifikuar si progresiste brenda protestës ishin të gatshëm t’i toleronin. Aktivistë të majtë, gazetarë dhe një sërë figurash publike që tani denoncojnë fraksionet “fashiste” brenda protestës, më parë nuk e kishin problem të dëgjonin fjalimet e tyre, e madje edhe të marshonin nën drejtimin e këtyre personazheve që tanimë po përshkruhen gati si trupa të huaj që kanë infektuar protestën.

Natyrisht kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që marrin pjesë në protestë duhet të japin llogari për politikën kujtdo që gjendet në shesh, por ka një dallim thelbësor mes pranimit të pluralizmit për hir të kauzës dhe normalizimit të një kulture të caktuar politike, vetëm e vetëm sepse është e dobishme. Aq më tepër që kultura politike në fjalë është kaq banale, sa që nuk duhen shumë mend për ta kuptuar.

Në shumë aspekte është kultura e stadiumit të futbollit që zbarkon në bulevard, e cila e s’mund ta imagjinojë unitetin ve]se si bashkim nën një flamur, duke brohotiur njëzëri të njëjtat slogane. Sinkronizimi për tifozët është e vetmja mënyrë e shprehjes së mbështetjes. Për fraksionet "fashiste" brenda protestës, diferencat dhe daljet nga rreshti janë të patolerueshme sepse i vetmi unitet që njohin është ai i stadiumit.

Edhe pse ta etiketosh si fashizëm të gjithë këtë është tepër e lehtë – shumica e këtyre njerëzve nuk kanë asgjë të ngjashme me një ideologji koherente fashiste – është e dukshme se instinktet e tyre politike anojnë nga nacionalizmi ekstrem, mospranimi i asgjëje ndryshe, adhurimi i forcës fizike dhe bindjes se, sa më agresiv toni i zërit, aq më autentike është politika e tyre.

Megjithatë, e gjithë kjo nuk nisi të dielën, çka e bën shpjegimin tjetër – se këto grupe janë infiltruar në protestë nga qeveria – po aq jobindës. Sigurisht që autoritetet infiltrojnë njerëzit e tyre në protesta. Është diçka që ndodh nga vendet më diktatoriale, tek demokracitë më liberale perëndimore dhe gjasat janë që edhe në protestën e Tiranës të ketë patur dhe të ketë njerëz të infiltruar. Problemi është se personat e përfshirë në incidentet e fundit të dhunshme dhe që po cilësohen si të infiltruar, nuk janë figura të panjohura që iu bashkuan turmës fshehtësisht. Përkundrazi, ata janë thuajse të gjithë personazhe me profile të njohura publike dhe retorikë po aq të njohur, të cilët kanë tre muaj që marrin pjesë në protest dhe që publiku i percepton si udhëheqës të saj.

Por ndoshta teoria e infiltrimit iu shërben sepse fsheh një nga dobësitë e mëdha të kësaj proteste, që është mungesa e një identiteti të qartë politik, çka e bën më të vështirë për të kuptuar se kush e ka të sinqertë protestën dhe kush i ka përvetësuar gjuhën për interesa të tjera më të ngushta. Dhe këtu Kryeministri Rama ia ka dalë mbanë, shumë shpesh madje, që të diktojë retorikën e protestës. Nëse kthehemi pas një ose dy javë, mund të shohim se si sa herë që ai i ka future protestuesit brenda një etikete të caktuar, të nesërmen në shesh është shpenzuar një energji e madhe për të provuar se nuk janë komunistë, iranianë, apo çfarëdo etiketimi tjetër iu ka bërë ai.

Një protestë serioze nuk mund të lejojë që t’ia shkruajë sloganet, qoftë edhe në mënyrë indirekte, njeriu që e kanë shpallur si armikun e tyre kryesor. Nëse krahu “progresist” i protestës e ka pranuar më në fund se nacionalizmi, homofobia dhe agresiviteti nuk përputhen me lëvizjen, ky është një debat pozitiv, por duhet të bëhet në mënyrë të sinqertë. Nuk mund të pretendohet se këto tendenca i erdhën protestës nga jashtë. Ato kanë qenë aty qysh ditët e para, të zëshme dhe shpesh të duartrokitura. Tani duhet të vendosin nëse për të vazhduar të jenë të bashkuar mjafton pasja e një armiku të përbashkët, apo nevojiten edhe bashkëndarja e disa koncepteve minimale për politikën që duhet ta zëvendësojë atë. Deri tani e kanë shmangur me sukses këtë pyetje. Pas ngjarjeve të fundjavës, kjo duket e pamundur.