Ndërsa kanë kaluar më shumë se njëqind ditë nga nisja e saj, protesta ‘Flamingo’ sa vjen dhe ngjan me një lëvizje që është bërë më tepër e domosdoshme për  pjesmarrësit e saj, sesa ndonjë kërcënim për qeverinë. Sherret e brendshme mes zërave më prominentë të saj, së bashku me takimet diskrete, të japin përshtypjen se po përgatitet diçka me pasoja të mëdha – organizatorët duket se e besojnë seriozisht këtë – por ajo çfarë vjen më pas, në të shumtën e rasteve është tepër larg një aksioni me pasoja politike.

Natyrisht, nuk filloi kështu. Mobilizimi rreth projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec sifdoi për pak ditë bindjen se pasuria publike mund të trajtohet material për investime private dhe pjesmarrësit në protestë kishin realisht arsye të ndiheshin të rëndësishëm, pasi po krijonin një situatë problematike për qeverinë. Por, vetëndjerja të rëndësishëm rezultoi më jetëgjatë se sa presioni që e prodhoi atë dhe që në fakt, nga kërcënim për qeverinë, rrezikon të kthehet në diçka favorizuese për të. 

Historiani belg Anton Jäger jep një shpjegim të vlefshëm te “Hiperpolitika”, ku përshkruan se si shoqëri tona sot, ndonëse të rrethuara ngado nga politika dhe në mobilizim konstant, mbeten të pafuqishme për t'i ndryshuar realisht gjërat sepse njerëzit mobilizohen më lehtë rreth një zemërimi të çastit sesa rreth një organizimi të përbashkët afatgjatë. Kështu, mobilizimi mund t’u japë njerëzve një rol, njohje dhe bindjen se po bëjnë diçka me rëndësi, pa u dhënë domosdoshmërisht fuqinë për ta ndryshuar me të vërtetë atë që kundërshtojnë.

Analiza e tij përqëndrohet thuajse ekskluzivisht tek shoqëritë Perëndimore, por paradoksi i mobilizimit të vazhdueshëm dhe kudondodhjes së politikës, mund të ekstrapolohet edhe në shoqëri si e jona, ku një lëvizje si ajo e Flamingove po e humbet dita-ditës ndikimin mbi qeverinë, ndërkohë që bëhet gjithnjë e më rëndësishme për njerëzit që marrin pjesë në të. Protesta përcakton role për gjithsecilin në shesh, duke iu dhënë përgjegjësi dhe një audiencë që i dëgjon e i duartroket, shpesh pa kuptuar as çfarë po thuhet dhe çfarë synohet të arrihet.

Dështimi për të arritur rezultate konkrete nuk i pengon organizatorët që të përmirësojnë pozitat brenda ‘rrethit të protestës,’ çka shpjegon atmosferën gati-gati klandestine që rrethon disa prej zërave më publikë të saj. Fshehtësia krijon një hierarki mes atyre që e dinë se çfarë po përgatitet dhe atyre që duhet të presin, duke u dhënë të parëve autoritet brenda grupit. Në mungesë të rezultateve, të qenët pjesë e një takimi të mbyllur bëhet vetë provë rëndësie, edhe nëse prej tij nuk del asnjë vendim me peshë.

Por, pas kaq muajsh, është e vështirë që vetë ‘Flamingot’ të vënë në pikëpyetje orientimin e protestës, sepse shumëkush brenda saj do ndihet i ofenduar pas një përkushtimi kaq të gjatë. Ndaj, e kanë më të lehtë të mbrojnë vijimësinë e saj duke kujtuar sakrificat e bëra, sesa të pranojnë se gjithë ajo përpjekje mund të kërkojë një drejtim tjetër.

Tani rreziku qëndron në faktin se është bërë më e vështirë për pjesmarrësit të largohen nga lëvizja, sesa për qeverinë që ta injorojë atë. Ndaj, mund të thuhet se vazhdimësia e saj po i shërben më së miri, njëkohësisht, të dy palëve. Udhëheqësit e Flamingove mund të vijojnë të ndihen të rëndësishëm, ndërsa qeveria mund ta paraqesë praninë e tyre të përnatshme në shesh si dëshmi të tolerancës së vet demokratike. Ja ku protestojnë, askush nuk i pengon; nëse nuk arrijnë gjë, kush jua ka fajin veç vetes? Dhe e nesërmja mund të vazhdojë t’i ngjajë të sotmes, sa kohë dikush del në podium dhe shpall se po jetojmë një tjetër ditë historike./TemA