Ka një pyetje serioze që si shoqëri e kemi shmangur për një kohë të gjatë dhe që ngjarjet e fundit, si rasti tragjik i përplasjes për vdekje të dy fëmijëve në Durrës, e bëjnë edhe më të nevojshme që t’i përgjigjemi seriozisht.

Mes morisë së kërkesave për ashpërsim të kodit penal dhe kodit rrugor, pyetja që ndoshta duhet t’i bëjmë më së shumti vetes është se si lejohen disa njerëz të ulen pas timonit të makinës?

Për t’iu përgjigjur kësaj, duhet fillimisht të përballemi me bindjen false që kemi krijuar se patenta dhe ngarja e makinës janë një e drejtë, kur në fakt nuk janë dhe s’kanë qenë kurrë të tilla.

Drejtimi i një mjeti që peshon mesatarisht 2.000 kilogramë dhe lëviz me shpejtësi në hapësira publike, është një privilegj i kushtëzuar, që jepet nga shteti në emër të shoqërisë dhe si e tillë, mund dhe duhet të hiqet në raste të caktuara… Ndoshta edhe përgjithmonë.

Ne e pranojmë parimisht se jo çdokush mund të pajiset me patentë për të drejtuar një automjet. Për shembull, të gjithë kemi rënë dakort se dikush që vuan nga një fazë e avancuar e demencës nuk duhet lejuar që t’i japë makinës.

E njëjta vlen edhe për persona me probleme të thella me shikimin, që vuajnë nga epilepsia apo gjendje të tjera shëndetësore që jua dëmtojnë aftësitë gjykuese. Në të gjitha këto raste, sikurse edhe kur dikush kapet duke i dhënë makinës nën influencën e alkoolit apo drogërave, shoqëria ka vendosur se këta njerëz përbëjnë një rrezik të papranueshëm për pjesën tjetër dhe për rrjedhojë, nuk duhen lejuar në rrugë me makinë.

Tani, nëse pranojmë se dikush që vuan nga epilepsia nuk duhet t’i japë kurrë makinës sepse nuk garanton dot sjelljen e tij/saj në timon, atëherë ndoshta duhet të biem dakort se, edhe dikush që ka treguar në mënyrë të përsëritur se nuk i bindet rregullave të trafikut, nuk duhet ta ketë këtë privilegj. Kur kemi dëshmi të përsëritura rreth sjelljes së dikujt në publik, atëherë ne mund ta parashikojmë se ç’do të bëjë.

Përjashtim do të ishte nëse do t’i zbatonte rregullat. Rasti i Durrësit, nëse raportimet janë të sakta, tregon se shoferi ishte një rrezik i njohur tashmë. Lejimi në rrugë i tij dhe i shumë të tjerëve si ai, tregon se i gjithë sistemi ynë nuk e trajton të paturit e një patente dhe drejtimin e automjetit aq sa duhet si privilegj, siç edhe është.

Si do të dukej në realitet marrja seriozisht e këtij modeli? Do të nënkuptonte së pari se, në raste shkeljesh serioze të përsëritura, patenta hiqet përgjithmonë. Nëse ke vendosur të heqësh dorë nga të qenët i besueshëm në sjelljen tënde në timon, atëherë përse duhet ta gëzosh akoma privilegjin e rimarrjes së patentës pas disa muajsh, apo qoftë edhe pas një viti?

Së dyti, do të nënkuptonte krijimin e një regjistri qendror të integruar të të gjithë shoferëve që nuk iu lejohet më të kenë patentë, çka nuk do t’i lejonte të blinin një makinë përmes kanaleve zyrtare. Edhe nëse do të mund ta blinin jashtë këtyre kanaleve zyrtare, do ta kishin të pamundur ta regjistronin apo të blinin një siguracion për të.

Një shofer të cilit i hiqet patenta përgjithmonë dhe ligjërisht nuk i lejohet të blejë apo regjistrojë një automjet në emrin e vet, është pa dyshim shumë më pak i rrezikshëm se sa dikush i cili ligjërisht nuk mund ta ngasë atë.

Sigurisht që shumica do të ankohen se masa të tilla janë të ekzagjeruara dhe se shkelin liritë e individit, por rrugët e Shqipërisë na përkasin të gjithëve dhe rehatia e shoferëve të pakujdesshëm nuk është ndonjë vlerë që ia vlen të mbrohet, sidomos kur kostoja është siguria e të gjithë përdoruesve të tjerë të rrugës. Për më tepër, situata ekstreme shpesh kërkojnë zgjidhje ekstreme dhe siç tregojnë edhe të dhënat zyrtare, 85% e aksidenteve në vendin tonë janë pasojë e sjelljes së shoferëve.

Tronditja nga rasti i fundit është sigurisht e madhe, por emocionet në fund nuk ndryshojnë gjë. Ajo çfarë mund të sjellë njëfarë ndryshimi është nëse pranojmë se njeriu që i vrau jo vetëm nuk është përjashtim nga rregulli, por ai është në fakt produkti logjik i një sistemi tejet tolerant që ia pezulloi patentën së paku dy herë e, megjithatë, e lejoi të kthehej sërish në timon pas disa muajsh.

Kjo është një derë që duhet mbyllur. Heqja e patentës duhet të jetë një akt që ka njëfarë peshe në jetën e dikujt. Viktimat e panumërta nga aksidente të tilla, shkaktuar nga shkelës të përsëritur, meritojnë së paku kaq seriozitet nga shoqëria.