Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e Autoritetit Portual Durrës gjatë fillimit të kësaj jave dhe sekuestruan dosjen për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, i cili ende nuk e ka një fitues.
Tenderi me vlerë 393 mln euro është hapur dhe është anuluar disa herë. Në garën e fundit në dhjetor të 2024-ës, u paraqitën 5 konsorciume.
4 u përjashtuan me motivacionin se nuk plotësonin kriteret, dhe në garë ka mbetur bashkimi i operatorëve, qipriotia “Archirodon Construction Company Limitet”, belgia "Deme Dredging NV" dhe “Società Italiana Dragaggi”.
Së fundi, afatet e tenderit janë shtyrë deri më 9 mars të 2026-ës me kërkesë të këtij operatori, për të paraqitur një ofertë teknike dhe tregtare gjithëpërfshirëse.
Mes të skualifikuarve ka pasur edhe ankesa te Komisioni i Prokurimit Publik, por që janë rrëzuar. Njëra prej tyre, e cila kaloi fazën e parë të garën, holandezja “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V”, bëri kallëzim në SPAK duke denoncuar procedurën e garës. Pikërisht kjo padi nga kompania e njohur holandeze me një eksperiencë mbi 150 vjeçare, çoi agjentët e BKH-së të sekuestrojnë dokumentet e procedurave të ndjekura deri më tani nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Porti i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej më shumë se 400 hektarë dhe do të ketë mbi 30 vend bregëzime për anijet detare. Sipas studimit të bërë, kapaciteti vjetor i portit do të jetë përpunimi i 2 milionë kontejnerëve dhe i 50 milionë tonë ngarkesave të tjera, dhe pritja e mbi 1 milionë pasagjerëve në vit.
Komente











