Pas 4 humbjeve radhazi kapiteni i ekipit të Skënderbeut, Bledi Shkëmbi në një intervistë për Shqiptarja.com garanton të gjithë tifozët që të rrinë të qetë, pasi situata është totalisht nën kontroll.

Kapiteni sqaron ngërçin që po kalojnë pas humbjeve të njëpasnjëshme në kampionat dhe në kupë duke ia lënë përgjegjësinë për gjithçka fushës, pasi sipas tij drejtuesit nuk kanë asnjë faj.

Shkëmbi shprehet i bindur që Skënderbeu do të shpallet sërish kampion këtë edicion, madje prenoton edhe edicionin tjetër duke lënë Kukësin me duart bosh.

Kriza dhe tifozët
“Çdo ekip kalon momente të vështirë gjatë një edicioni, një gjë e tillë ndodhi edhe me ne, por pa shumë pasoja, pasi ankthi ka mbaruar dhe situata është nën kontroll. Kemi bërë një analizë për humbjet dhe sigurisht që përgjegjësia është mbi futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit nuk kanë asnjë faj.

Në Vlorë zhvilluam një nga ndeshjet më të mirë të edicionit, por në futboll duhet edhe fat për të ftuar. Më vjen shumë mirë për pajtimin me tifozët pas një momenti jo shumë të mirë që kaluam. Me mbështetjen e tyre do të arrijmë që të rikthehemi te fitoret” deklaroi Shkëmbi.  

Titulli dhe Kukësi
“Humbjet e fundit nuk e vendosin aspak në diskutim titullin kampion, pasi kjo çështje është e mbyllur edhe për këtë edicion. Në ndeshjet në vijim nuk do të lejojmë asnjë hap fals. Kukësi ndeshjet e fundit mund t’i kthejë në shëtitje, por edhe ne nuk do të gabojmë.

Kukësi jo vetëm tani që jemi 5 pikë përpara, por që edicionin e kaluar dhe në fillim të këtij edicioni ‘fërkonte duart’ por në fund nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Këtë javë presin Partizanin dhe besoj që nuk do të arrijnë që të fitojnë, unë bëj tifo për të kuqtë, pasi jam një ish-futbollist i këtij ekipi. Përsa i përket titullit kampion dua të shtoj edhe diçka, që edhe në edicionin tjetër nëse do të arrijmë që të ruajmë këtë grup, Kukësi duhet ta harrojë titullin” përfundon kapiteni.

Takaj hap portat
Presidenti i ekipi te Skënderbeut, Ardian Takaj dhe grupimi i tifozëve “Ujqërit e Dëborës” duke parë gjendjen kanë vendosur që të bëjnë paqe duke  harruar akuzat dhe ofendimet e javëve të fundit për humbjet e pësuara.

Ngjitja e rrufeshme e ekipit të Kukësit duket se ka trembur tifozët dhe drejtuesit e ekipit duke vendosur të mbledhin forcat duke qëndruar të bashkuar, duke sjellë një vendim pozitiv që deri në fund të sezonit ndeshjet në Korçë të jenë falas, pa bileta për mbështetësit e zjarrtë të skuadrës kampione. “Ujqërit e Dëborës” theksojnë se duke marrë shkas nga afrimi i Kukësit dëshirojmë t’i gjendemi pranë ekipit.