Komisioni Europian ka propozuar një reformë të gjerë të rregullave për prokurimet publike, me synimin që vendet anëtare të Bashkimit Europian të favorizojnë më shumë mallrat dhe shërbimet e prodhuara në Europë. Nisma është pjesë e përpjekjeve të Brukselit për të forcuar industrinë europiane dhe për t'iu përgjigjur rritjes së ndikimit ekonomik të Kinës.
Paketa e re shihet si një hap tjetër drejt politikës “Blej nga Europa”, por, ndryshe nga nismat e mëparshme për teknologjitë e pastra, ajo nuk parashikon kuota të detyrueshme për produktet e prodhuara në Europë.
Sipas propozimit, shkollat, spitalet, bashkitë dhe institucionet e tjera publike do të kenë një bazë më të qartë ligjore për t'u dhënë përparësi kompanive europiane gjatë zhvillimit të tenderëve.
Në Bruksel vlerësojnë se shumë institucione publike zgjedhin ofertën më të lirë, duke besuar se këtë ua kërkojnë rregullat e BE-së. Sipas Komisionit Europian, kjo ka bërë që kontrata të financuara me para publike të përfundojnë shpesh te kompani jashtë Bashkimit Europian.
Komisioneri për Politikën Industriale, Stefan Sezhurne, tha se rregullat e reja synojnë të eliminojnë këtë paqartësi dhe t'u japin autoriteteve publike mundësinë të favorizojnë ofertat europiane ose të kufizojnë, madje edhe të refuzojnë, ofertat nga vende që nuk kanë marrëveshje për prokurimet publike me BE-në ose që nuk respektojnë rregullat ndërkombëtare në këtë fushë.
Sipas Komisionit Europian, tregu i prokurimeve publike përbën rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së, ose rreth 2.600 miliardë euro në vit, çka e bën atë një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës industriale.
Propozimi parashikon gjithashtu që çmimi më i ulët të mos jetë më automatikisht kriteri vendimtar. Autoritetet kontraktuese do të duhet t'i japin të paktën 30% të vlerësimit cilësisë së ofertës ose të argumentojnë pse nuk e kanë bërë këtë. Për kontratat që kërkojnë shumë fuqi punëtore, pesha e cilësisë duhet të jetë të paktën 50%.
Sezhurne tha se rregullat e reja do të rrisin edhe përgjegjësinë politike të qeverive dhe autoriteteve lokale për mënyrën se si shpenzojnë fondet publike. Sipas tij, nëse një qeveri zgjedh, për shembull, autobusë kinezë në vend të atyre europianë, kjo nuk do të mund të justifikohet më si detyrim i rregullave të BE-së, por do të konsiderohet një vendim politik.
Brukseli ka shprehur shqetësim të veçantë për praninë në rritje të kompanive kineze në sektorin europian të transportit dhe infrastrukturës. Në prill, Komisioni Europian bllokoi pjesëmarrjen e një kompanie kineze të mjeteve hekurudhore në ndërtimin e një linje të re metroje në Lisbonë, pasi konstatoi se ajo kishte përfituar subvencione shtetërore që i jepnin avantazh të padrejtë konkurrues. Gjithashtu, vitin e kaluar u hap një hetim ndaj kompanisë kineze Nuctech, prodhuese e skanerëve të sigurisë për aeroporte dhe porte, për dyshime se kishte përfituar subvencione dhe lehtësime tatimore.
Projektligji duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së, ndaj pritet që ai të pësojë ndryshime gjatë procesit legjislativ.









Komente
Komento