Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër për varrimin e Ratko Mlladiç me nderime të larta në Serbi.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Hoxha ka shkruar se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik bien ndesh me vlerat evropiane.

Sipas Hoxhës, akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës, pasi fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit e gjenocidit dhe gërryejnë besimin midis komuniteteve e njerëzve.

Nw pwrfundim Hoxha ka theksuar se Ballkani duhet tw ndwrtojw tw ardhmen e pwrbashkwt europiane tw rrënjosur në paqe, pajtim, bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe respekt të palëkundur për kujtimin e atyre që vuajtën nga tmerret e luftës.

Postimi i Ferit Hoxhës:

Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mladić, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi.

Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet konsistent: glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian dhe minojnë frymën e pajtimit, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që janë thelbësore për një të ardhme të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës. Ato fyejn viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe njerëzve.

Shqipëria beson fuqimisht se pajtimi i vërtetë mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, llogaridhënien, respektin për viktimat dhe të mbijetuarit dhe një angazhim të përbashkët për të siguruar që krimet e së kaluarës të mos përsëriten kurrë.

Rajoni ynë ka një të ardhme për të ndërtuar së bashku. Kjo e ardhme duhet të jetë evropiane: e rrënjosur në paqe, pajtim, bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe respekt të palëkundur për kujtimin e atyre që vuajtën nga tmerret e luftës.