Analisti Lorenc Vangjeli ka bërë një paralajmërim për zhvillimet në politikën shqiptare pas përfundimit të verës. Vangjeli thotë se ‘moti politik’ do të bëhet shumë më i nxehtë duke nisur nga muaji shtator dhe se personazhe të njohur, në të majtë dhe të djathtë do të jenë subjekt i drejtësisë. Dhe po kështu, edhe lëvizje të mundshme në kabinetin qeveritar dhe hierarkinë e vetë maxhorancës.

Në një analizë të publikuar në Javanews.al, duke analizuar situatën aktuale politike dhe veçanërisht kryeministrin Rama në raport me opozitën, por edhe me njerëzit e tij, Vangjeli thekson se një pjesë e këtyre të fundit ndjejnë pasiguri për atë që do të sjellë vjeshta.

Disa politikanë të maxhorancës, siç thekson ai, “kanë raporte frike me SPAK-un dhe ndjehen viktima të frazës së Ramës: “Përgjegjësia është individuale!”.

Po ashtu ndër të tjera Vangjeli thekson se “rrethi mbyllet vetëm kur produktet e veprës kriminale, edhe kur duket se janë larë e tharrë ligjërisht, të sekuestrohen e t’i kthehen publikut në formën e pasurisë publike. Mund të ndodhë që dikush të jetë shpallur apo edhe të shpallet fajtor me dosje gjyqësore që nuk bindin askënd, por nuk mbaron këtu.

Ka personazhe të cilëve shumëkush i numëron hektarët që blejnë me emra të afërmish në periferi të Tiranës, që planifikojnë ndërtime luksi në qendër të saj apo edhe inagurojnë komplekse hoteliere në jug të vendit duke rrezikuar të marë në qafë, dhe seriozisht kësaj here, jo vetëm veten, por edhe lavatricet e tyre të hekurta.”

"Kjo frazë duket se drejtohet drejt personazheve konkretë në të majtë të politikës. Dhe në të njëjtën kohë, një krahasim me David Koperfildin, e con në të djathtë adresës e frikës. Sipas Vangjelit, “Ka personazhe të tjerë që si iluzionisti i famshëm, e shndërrojnë një copë tokë sa një shami hundësh në një lagje të tërë banimi dhe në të njëjtën kohë, besojnë se e shndërrojnë edhe veten në ëngjëll hakmarrës në emër të së drejtës”, thotë ai.