Bleona Qereti: Njerëzit 3 orë në
këmbë për koncertin tim në Vlorë

Bleona Qereti: Njerëzit 3 orë në<br />këmbë për koncertin tim në Vlorë
Sapo ka përfunduar koncertin e pare të turit të saj nëpër Shqipëri dhe këngëtarja Bleona Qereti duket mjaft entuziaste për rezultatet e arritura. Në një intervistë për A1 Report, ajo rrëfen emocionet e rikthimit në skenat shqiptare, dashamirësinë e publikut, obligimin që ajo kishte ndaj tyre nëpërmjet këtyre koncerteve. Gjithashtu ajo flet edhe për jetën e saj në Amerikë, martesën me Ganiun si dhe anën tjetër të personazheve të famshëm të huaj të cilët i shohim çdo ditë në tapetin e kuq. Bleona shprehet mjaft optimiste për etapat e tjera të koncerteve të saj, të cilat do të jenë në Shkodër dhe në Elbasan e për t’u përmbyllur më pas në Tiranë.

Si ia doli Bleona për të arritur deri tek ky album i jashtëzakonshëm, me një kosto mjaft të lartë ashtu siç e meriton një i tillë i mirëfilltë?

Është e vërtetë që është realizuar një album në anglisht. Është realizuar me shumë sakrifica, por jam e lumtur që erdhi kjo ditë që të paktën unë kam mbaruar këngët dhe tani jemi në proçesin e mendimit se kur do t’i nxjerrim këngët, cili do të jetë singëlli i parë i albumit etj. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme dhe unë jam tmerrësisht elumtur sepse kam dy vjet që i mbaj fansat në Facebook dhe Twitter me shpresën se
është duke mbaruar albumi. Jam shumë e lumtur që erdhi dita që unë më në fund të jem në koncert në Shqipëri dhe gjithashtu ndihem mjaft e lumtur që dje në Vlorë patëm një koncert fantastik. Është një borxh moral që kisha për të gjithë fansat e mi, sepse janë ata që më kanë mbështetur gjithë këto vite, janë ata që kanë mbushur sheshet gjithë këto vite. Kështu që e kam pasur si obligim moral për të ardhur e për t’i kënaqur e për të bërë një koncert fantastik. Në Vlorë ka pasur një pozitivitet dhe energji fantastike, njerëzit për tre orë nuk kanë lëvizur dhe të rrish në këmbë për tre orë. Ka qenë diçka fantastike, të cilën mua nuk ma mori mendja që do të qëndronin aq shumë.

Si të kanë pritur mediat në Shqipëri?

Të them të drejtën më kanë pritur vërtet shumë mirë. Unë gjithnjë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë dhe pozitive me mediat. Kanë qenë gjithnjë një nga pikat më të forta dhe unë kam gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me gazetarët, nuk i kam kthyer asnjëherë pa marrë parasysh sa ka qenë ora apo sa e zënë, pra dhe kur këtu ka qenë ditë dhe atje ka qenë natë gjithnjë kam gjetur kohë për çdo gazetë pa marrë parasysh emrin e saj për t’i kthyer përgjigje dhe kjo është një marrëdhënie reciproke.

Gatishmëria jote u vu re edhe sot kur ju ishit e gatshme për intervistë, beson se kjo ju ka ndihmuar me gazetarët ?

Unë jam munduar të bëj atë që duhet në aspektin artistik si dhe në aspektin moral. Kështu që nuk besoj se do të ketë ndonjë fjalë negative, pasi unë jam duke harxhuar para për të bërë koncerte falas për fansat e mi, jam duke sjellë të ftuar nga Amerika, të cilët janë tashmë të stabilizuar atje dhe nuk kanë nevojë për një vend të vogël siç jemi ne. Jam munduar që emrin e Shqipërisë ta çoj sa më përpara. Madje edhe kur kam takuar Timbaland kam thënë “ Është një vend i tërë si Shqipëria që të do, kështu duhet të më ndihmosh si shqiptare, por nuk i kam thënë kurrë që duhet të më ndihmosh si Bleonë. Madje pas koncertit kemi pasur një telefonatë të gjatë bashkë dhe i kam thënë që ke një komb të tërë që bërtasin emrin tënd në shesh. Tashmë gjërat janë ndryshe nuk janë më individuale. Kështu që për t’iu rikthyer gazetarëve nuk besoj se do të ketë ndonjë fjalë të keqe për të thënë nga ata dhe dua t’i falënderoj pasi ata kanë qenë më të vërtetë pozitiv . Unë jam munduar të jem në rregull më të gjithë, nuk ka kohë për të qenë fallco, duhet të jemi të gjithë të vërtetë. Unë nuk jam ndjer dhe nuk kam folur nëpër gazeta derisa nuk kam pasur një lajm të vërtetë për të publikuar dhe ia ku jemi sot.

Gjithmonë jeni shquar për një person mjaft të sinqertë dhe të hapur. Jeni nga ato persona që sinqeriteti ju kanë ndihmuar për të ecur në jetë?


Më ka ndihmuar pasi unë nuk di të jem ndryshe, ndoshta mund të jem dëmtuar nga ky sinqeritet.

Të kemi parë me persona mjaft të rëndësishëm në Hollywood, madje edhe në jahtin e Cavallit. Sa mirë ndihesh me ta?


Shokët janë shokë, miqtë janë miq, të njohurit janë të njohur. Zakonisht jam mjaft selektive në miqtë që zgjedh. Jam munduar gjithmonë të qëndroj me njerëz që janë më të mëdhenj sesa unë që kanë më shumë eksperiencë se unë, pasi kjo të ndihmon të ecësh përpara. Të kesh një mik si Al Pacino, i cili është një actor me një famë ndërkombëtare, madje është aq i thjeshtë, ai vjen e afrohet vetë si dhe të flet për problemet që mund të ketë me fëmijët e tij me të dashurën etj. Në çastin kur ke dikë kaq të thjesht në tavolinë nuk ia vlen të fillosh të tregosh e të shesësh
mend. Në hollywood të vlerësojnë më shumë për punën që bën, sesa të shkosh të shesësh mend. Ata njerëz i kanë të gjitha paratë dhe janë velur nga këto, ata kanë nevojë për njerëz të vërtetë. Ndjehem mirë me ta si dhe është një marrëdhënie shoqërore.

Keni shumë miq në Shqipëri?

Kam shumë të njohur në Shqipëri, por kam pak miq. Megjithatë ata që kam janë miq shumë të mirë njëjta gjë vlen edhe për Hollywood-in.

I keni ruajtur miqësitë në Shqipëri?


Sigurisht që po. Ka njerëz me të cilët dëgjohem përditë, por edhe me disa të tjerë me të cilët nuk komunikoj përditë në momentin që kthehem marrëdhënia fillon aty ku ka ngelur. Aurela Gaçe është një nga ata njerëz, të cilët edhe pse nuk i takon përditë janë njëjtët njerëz të cilët kanë qenë më përpara.

Koncertet i keni live?


Koncertet janë një pjesë në anglisht një pjesë në shqip dhe pjesa e fundit është live. Gjatë koncertit kam kënduar edhe këngë popullore pasi këto janë rrënjët tona . Dje i gjithë sheshi ka kënduar me mua . Nuk kam pasur kohë të kontrolloj Facebookun,por miqtë e mi më kanë thënë që reagimet kanë qenë mjaft positive.

Mund t’i përmendi edhe njëherë bashkëpunëtorët tuaj ?

Të ftuar në koncert kam Timbaland Production, ku është DJ zyrtar i Timbaland, DJ Free Style është Brasco, një nga reperat kryesor në albumin e Justin Timberlake, është edhe Michael Evans zëvendës presidenti i “Mostly Music”. Gjithashtu kam orkestrën më të mirë në Shqipëri, Land Fushën, dhe djemtë e Top Channel, Etno Engjujt, të cilët janë një grup fantastik për mua. Koncerti është konceptuar ku në fillim dalin Etno Engjujt meqë jemi shqiptar dhe këndojnë shqip, më pas Dj Free Style me këngë anglisht dhe unë këndoj “The way I are” të cilën e këndoj me Dj Free Style, kjo është një këngë nga Keri Hilson dhe Timbaland. Më pas vazhdoj me pjesën anglisht të koncertit, ku është Brasco dhe unë performoj me të dy këngë në skenë.

Përse keni zgjedhur flamurin shqiptar për kostumin tuaj në skenë pasi dhe shumë artistë shqiptarë që jetojnë jashtë e bëjnë diçka të tillë duke përdorur flamurin?

Kur je larg të mungon vendi yt, të mungojnë njerëzit që njeh dhe tek e fundit unë jam kjo që jam nga fansat që kam në Shqipëri dhe unë jam shqiptare. Në çastin që je në tapetin e kuq në Hollywood dhe njerëzit thërrasin “Shqipëri” nuk mund të thuash që jam nga një vend tjetër kështu që kostumi ka një koncept fantastik. Është vërtet një veshje e bukur dhe mbrëmë në shesh ka pasur një emocion të jashtëzakonshëm pasi unë dola me atë kostum. Më pas kisha një tjetër me motive nga flamuri kosovar dhe në pjesën e albumit anglisht një kostum të marrë nga pasarelat vetëm për mua.

Turi do të vazhdojë më koncerte të tjera, në çfarë date është koncerti i radhës?

Koncerti i parë ishte në Vlorë, koncerti tjetër është në datë 30 në Shkodër dhe më pas në datën 2 jemi në Elbasan. Jo pa qëllim i kam zgjedhur këto tre qytete. Vlorën për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe duhej ta hapja patjetër me Vlorën. Shkodrën e kam zgjedhur pasi im atë është më origjinë nga Shkodra dhe unë kam gjak shkodrani, nuk mund t’i lija fansat atje si dhe Elbasani është qyteti i parë ku kam nisur karrierën që në moshën 12 vjeçe. Kështu që nuk mund të përjashtoja asnjë nga këto qytete, por sigurisht në fund do të jetë edhe Tirana. Më pas do të shkojmë në Prishtinë në datën 8 dhe do të vazhdojmë me Zvicrën, Italinë. Datat e tjera nuk janë vendosur, por njerëzit mund t’i mësojnë ato në Facebook dhe në Twitter sapo të vendosen.

Sa ka ndryshuar Bleona që prej daljes së parë në skenat shqiptare?


Nuk e di a kam ndryshuar, por sigurisht që jam rritur si artiste në eksperiencë. Kam një pasion për këngën që ndoshta nuk e kisha vënë re sepse fama ka ardhur kur unë kam qenë e vogël. Por kur shkon në një vend tjetër si Amerika, ku nuk të njeh njeri sheh që gjërat janë ndryshe. Ka qenë një sfidë dhe një eksperiencë shumë e madhe për mua për t’i nisur gjërat nga zero. Atje kam kuptuar se jam në një vend të huaj dhe kuptoj që jam këngëtare dhe që është e vetmja gjë që mund të bëj . Nuk e kam bërë për paratë, e kam kuptuar pesë vitet e fundit që unë pa muzikën nuk jetoj dot, është ndoshta një obsesion dhe të gjithë ata që më njohin e dinë një gjë të tillë.

Çfarë ka ndryshe Amerika nga Shqipëria?

Shumë gjëra. Çdo gjë është ndryshe, që nga ushqimi deri tek mënyra si veprojnë apo mendojnë. Është ndryshe, por ajo që është e njëjtë është talenti, këmbëngulja si dhe ata janë njerëz që respektojnë punën.

Çfarë të mungon nga Tirana apo nga Shqipëria?

Shoqëria, pasi në Tiranë ekziston ende shprehja “dalim për një kafe”, ndërsa në Amerikë ekziston vetëm email-i dhe çdo njeri të kërkon për diçka. Los Angelos është një qytet shumë fallco, me njerëz shumë fallco, por që midis tyre ka njerëz të vërtetë, por që duhet ti gjesh. Në Shqipëri njerëzit nuk janë fallco.

Si është jeta jote atje me Ganiun,ku jeton Bleona?

Unë jetoj në avion (qesh). Kam një apartament në Los Angelos, kam marrë edhe prindërit aty, madje kam blerë dhe një qen. Gani është biznesmen, unë jam këngëtare. Ai vjen në shtëpi në orën 5 pasdite dhe zgjohet në 6 të mëngjesit, ndërkohë që unë në atë orë vij nga studio dhe fle deri në orën 12 të drekës. Por Ganiu është një njeri fantastik, i cili më ka mbështetur moralisht për gjërat që bëj. Kur martohesh ke edhe obligime të tjera, të cilat unë nuk i kam përmbushur për shkak të albumit, të koncerteve etj. Kështu Gani do të ngelet një nga njerëzit e rëndësishëm në jetën time. Është familja, pastaj sesi do të ecin gjërat që sot e tutje asnjë nuk e di.

Do të thotë që do të keni obligime të tjera?

Nuk mund të them asgjë tani, pasi as vetë nuk e di. Ndoshta do të kemi një fëmijë vitin tjetër, sigurisht që ky është plani, por asnjëherë nuk i dihet.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai