TIRANE- Një sërë dokumentesh që bëjnë fjalë për tenderin e blerjes së paisjes së përgjimit “CDMA Interceptor” janë tërhequr nga ndërmarrja shtetërore “MEICO”.

Me urdhër të prokurorisë një oficer i Policisë Gjyqësore mësohet se është paraqitur në dyert e kësaj ndërmarrje ku ka tërhequr të gjithë dosjen voluminoze që bën fjalë për tenderin 1.5 milion euro.

Burime pranë prokurorisë thanë se do të shihet e gjithë praktika dhe më pas do të vendoset të ftohet për të dëshmuar ish-drejtori i SHIU-t Ylli Zyla dhe persona të tjerë, që janë kallëzuar në këtë çështje.

Mësohet se dokumentacioni që është tërhequr nga ndërmarrja “MEICO”, tregon mënyrën e lëvrimit të fondit prej 1.5 milion euro, proceverbalin e hapjes dhe mbylljes së këtij tenderi, si dhe urdhërin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Veç këtyre dokumentave janë sekuestruar dhe shumë dokumenta të tjerë, që tregojnë rëndësinë e kësaj paisje, tepër të rëndësishme për ushtrinë shqiptare.

PAISJA SI ARME 
Prokuroria sqaron se paisja e përgjimit “CDMA Interceptor” konsiderohet si armë në shërbim të sigurisë kombëtare. Burimet thanë se për blerjen e saj, ka pasur një sërë diskutimesh me kompani shqiptare, të cilat kanë mundur ta negociojnë me një kompani izraelite, që ka mundësuar sjelljen e paisjes në Shqipëri, për llogari të ushtrisë sonë. Ashtu si armët luftarake dhe paisja “CDMA Interceptor” mund të shitet vetëm me çertifikatën e sigurisë. Por këtë çertifikatë e disponojnë vetëm pak kompani që ndodhen në Rusi, Gjermani, SHBA dhe Izrael. Paisja “CDMA Interceptor” është blerë në Izrael, duke përdorur një tender me prokurim të drejpërdrejtë.

PYETJA
Duket se pas verifikimit të dokumentacionit dhe verifikimit të plotë të praktikës që është ndjekur lidhur me këtë çështje, prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje personat që kanë qënë anëtarë të komisionit të ofertave, përfshirë këtu dhe ish-drejtorin e SHIU-t, Ylli Zyla. Sipas burimeve momentalisht të gjithë personat e kallëzuar në prokurori janë larguar nga puna me një urdhër të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Pak kohë më parë kjo e fundit paralajmëroi se ishte duke kryer verifikime lidhur me tenderin e blerjes së paisjes përgjuese. Për gati një muaj, është arritur në konkluzionin se ky tender ishte zhvilluar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi, dhe për pasojë është vendosur kallëzimi i këtyre zyrtarëve në prokurori, duke i akuzuar për veprën penale “Pabarazisë në tendera dhe ankande publike”. Ky nuk është i pari kallëzim që Ministria e Mbrojtjes ka depozituar në prokurori, pasi disa kohë me parë janë rregjistruar dhe 2 kallëzime të tjera.

Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)