TIRANË - Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë, John Kerry, do të shoqërohet nga masa të rrepta sigurie në kryeqytet. Policia e Shtetit do të angazhojë rreth 1800 forca policore gjatë ditës së dielë, për mbarëvajtjen e vizitës së numrit dy të qeverisë amerikane. Masa të tilla sigurie u morën gjatë vitit të kaluar për vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç. Mobilizimin më të madh, Policia e Shtetit e ka patur për vizitën e Papa Francesco në shtator të vitit 2013, ku për të garantuar sigurinë e tij u angazhuan plot 2500 forca policore.

Ndërkaq, eskorta e Sekretarit Kerry do të monitorohet nga ajri nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Plani i masave përfshin gjithashtu edhe bllokimin e disa rrugëve kryesore brenda kryeqytetit. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje për Shqiptarja.com” se gjatë ditës së nesërme do të jenë të bllokuara për të paktën 5 orë rreth 12 akse rrugore brenda kryeqytetit.
 
Masat
Policia e Shtetit ka ngritur një grup pune i cili do të bashkëveprojë me autoritet e Ambasadës Amerikane. Grupi i posaçë do të përfshijë të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në planin e sigurisë, si Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Garda e Republikës, Drejtoria Përgjithshme e Emergjencave Civile. Do të jetë ministri i Brendshëm që do të bëjë organizmin dhe bashkërendimin e punës së të gjitha institucioneve të përfshira për marrjen e masave të sigurisë gjatë veprimtarive që do të zhvillohen me rastin e vizitës së Kerryt në Shqipëri.

Sipas Burimeve zyrtare është hartuar e vënë në zbatim një plan i posaçëm masash me detyra konkrete për 1800 forca policore të angazhuara. Në funksion të sigurisë së vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit do të ketë monitorim edhe nga ajri nga një helikopter i Forcave të Armatosura, në mënyrë që të garantohet siguria maksimale e kësaj vizite të rëndësishme.
 
Rrugët
Akse të rëndësishme rrugore do të jenë të bllokuara nesër që prej orëve të para të mëngjesit e deri në përfundim të vizitës së Sekretarit Kerry. Do të jenë të paktën 12 akse rrugore, ndër to edhe arteriet kryesore të Tiranës të cilat për 5 orë do të bllokohen nga Policia. Tiranë­Durrës, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët. I bllokuar do të jetë edhe Bulevardi “Zogu I”, Bulevardi “Gjergj Fishta”, si dhe rruga e Elbasanit, rruga “Muhamet Gjollesha” dhe rruga “Sulejman Delvina”. Gjithashtu, janë funksionit për automjetet do të jetë edhe aksi Unaza e Re-Sheshi Shqiponja-Ura te Shkolla Teknologjike-Rruga e Kavajës. Në këto segmente nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve nga ora 09:00 e deri në 14:00. Edhe trafiku për mjetet e transportit publik do të devijohet në varësi të itinerarit të Kerryt.
 
Për Papa Francescon u mobilizuan 2500 policë. Siguria e vizitës së Kerryt, e nivelit të George W. Bush
Për nga niveli i masave të sigurisë, vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, vlen të krahasohet me atë të ish presidentit, George W Bush, i cili vizitoi Shqipërinë në 10 qershor të 2007-ës. Policia e Shtetit do të ketë të angazhuar në terren për sigurinë e Kerryt rreth 1800 forca policore, të cilët do të qëndrojnë përgjatë akseve kryesore rrugore, pranë institucioneve dhe vendeve të tjera ku do të zhvillohen aktivitetet përkatëse gjatë ditës së nesërme.

Ndërsa 9 vjet më parë, kur për herë të parë një President amerikan shkeli në tokën shqiptare, plani i masave të Policisë së Shtetit përfshinte rreth 2000 forca të policisë së shtetit, për sigurinë e Bush. Por jo vetëm kaq, një numër i konsiderueshëm i forcave të sigurisë, ishin nga forcat speciale amerikane, të cilët njëkohësisht monitoruan edhe hapësirën ajrore gjatë 8 orëve të vizitës së Bush në Tiranë dhe Fushë Krujë. Por vendin e parë të angazhimit maksimal të Policisë së Shtetit në kuadër të vizitës së një personaliteti të huaj, e mban vizita e Papa Francescos në shtator të vitit 2014-ë.

Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të përforcuar, ndërkohë që 2500 forca policore u angazhuan me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara gjatë vizitës së Papës. Grupi i punës për sigurinë e Papës përfshiu të gjitha institucionet në përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e këtyre masave.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)