Partia Demokratike vijon me akuzat e denoncimeve se qeveria po fsheh shifrat e vërteta të viktimave me COVID dhe për të bërë sa më bindëse akuzat e saj ka sjellë denoncimin e një qytetari, nëna e të cilit kishte vdekur me COVID, por që ai pretendon se nuk është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Qytetari nga Shijaku i identifikuar si Dardan Domi shprehet se i vdiq mamaja 82-vjeçare nga Covid, por Ministria e Shëndetësisë nuk e ka raportuar. Në fakt kjo është e pavërtetë pasi Ministria e Shëndetësisë e ka bërë publike në raportet ditore vdekjen 82-vjeçares L.D, më datë 5 gusht në njoftimin e saj zyrtar.

“Edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, fatkeqësisht nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, një 58-vjeçar nga Durrësi, një 70-vjeçar nga Kruja, dhe një 82-vjeçare nga Shijaku. Nuk e kanë fituar betejën, një 63-vjeçar nga Kukësi, një 64 vjeçar nga Shkodra, një 69-vjeçar nga Elbasani" , thuhet në njoftimin e Shëndetësisë.

Foto e njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë më datë 5 gusht

Por më e rënda në këtë histori dhe që e bën Bashën edhe më të pabesueshëm me deklaratat dhe akuzat e tij, është se Dardan Domi nuk është rasti i denoncimi të një qytetari të thjeshtë, por ai ka qenë kryetar i PD-së në Shijak dhe një nga ish-drejtorët tek legalizimet, në kohën e Shaban Memisë. Edhe me një kërkim në facebook-un e tij shfaqen fotot me Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe ka marrë pjesë në mitingjet e opozitës. Pra Dardan Domi po përdor vdekjen e së ëmës për të bërë politikë, në një kohë kur ky rast është bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë.

VIDEO/Denoncimi i Dardan Domit i publikuar nga PD

Dardan Domi me rreth të kuq me Sali Berishën

Kjo është hera e dytë që PD përdor familjarët e vdekur të eksponentëve të saj për të sulmuar qeverinë dhe bërë deklarata politike duke mos respektuar dinjitetin njerëzor dhe tragjedinë e ndodhur në ato familje. Më parë ishte Edi Paloka, i cili tha se në 'provat' e nxjerra denoncoi rastin e gocës së tezes së tij, pedagogia e Ekonomikut, e cila humbi jetën nga COVID-19 dhe rasti u bë publik në të gjitha mediat. Por për Palokën rasti është fshehur dhe nuk është regjistruar si viktimë e COVID duke bërë që qeveria sipas tij të manipulojë shifrat me numrin e viktimave.