Policia e Tiranës u kërkon të gjitha bizneseve që ti dorëzojnë vetë kapsollat që kanë importuar dhe i kanë të magazinuara gati për shitje, në të kundërt ato do të bllokohen nga uniformat blu. Zëvendës drejtori për rendin e sigurinë në Policinë e Tiranës Dhimitraq Ziu thekson se për fëmijët kapsollat janë një rrezik. Ndërkohë pikat doganore kanë nisur bllokimin e lendeve piroteknike për vlerësim nëse kanë eksploziv në sasi që rrezikojnë shëndetin e njerëzve. Zv.Drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Tiranës Dhimitraq Ziu iu bën apel bizneseve që të dorëzojnë kapsollat dhe të mos i nxjerrin në shitje.
Pavarësisht se bizneset kanë shpenzuar mijëra euro për ti blerë kapsollat dhe fishekzjarrët, Dhimitraq Ziu thotë se ato janë rrezik për fëmijët. “Do të vijojnë kontrollet në territor, në treg, në njësitë tregtare dhe nëse do të konstatojmë cdo qytetar që e mban apo përdor lëndën piroteknike ai do të ndëshkohet pranë strukturave të policisë. Iu bëj thirrje të gjitha bizneseve që tregtojnë këto kategori lëndësh piroteknike ti dorëzojnë pranë komisariateve” tha ai për Report Tv.
Aksioni i Policisë është duke u zhvilluar pa ndonjë bazë ligjore, pasi ligji nuk e ndalon tregtimin e fishekzjarrëve dhe kapsollave. Por Ziu thekson se ato mjete që kanë përmbajtje eksplozivi nuk duhet të shiten. “Ne jemi në fazën e vlerësimit nga prokuroria, pasi kemi referuar materialet në prokuroi për vlerësim dhe kampionët e këtyre produkteve i kemi dërguar në laborator dhe presim përgjigje nëse janë artizanale apo të fabrikuara. Ju e parë vetë në tubim që kolegia ime, sot nuk do të ishte nëse ajo do të shpërthente në qafë. Në momentin që këto futen në dogana do të vlerësohen, do të merren kampionë, do të dërgohen në laboratorë” përfundoi ai. Zv.drejtori për rendin e sigurinë në Tiranë thekson se aksioni për bllokimin e kapsollave do të vijojë përgjatë gjithë muajit dhjetor.