Bllokimi i Kushtetueses, Vishaj: Të zgjidhet si në rastin e Kryeprokurores
Precedenti i zgjedhjes së prokurores Arta Marku pa Vetting sipas juristëve është një mënyrë për të zhbllokuar ngërçin ku ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila pas shkarkimit të Fatos Lulos, nuk ka kuorum.
"Nëse do të vazhdojë rritja e të përjashtuarve nga sistemi i drejtësisë duhen zëvendësuar", shprehet Saimir Vishaj.
Për kreun e avokatëve penalistë, Saimir Vishaj, situata ku ndodhet gjyqësori shqiptar pas shkarkimit të anëtarit të kushtetueses Fatos Lulo kërkon një ndërhyrje emergjente, duke aplikuar mënyrën se si u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm.
Në një intervistë për Report Tv Saimir Vishaj shprehet se jo vetëm kushtetuesja por dhe gjykata të tjera rrezikojnë kolapsin. Më tej Vishaj thekson se "situata është tejet alarmante ku janë me qindra mijëra dosje që priten për t\u gjykuar si në Gjykatën Kushtetuese por edhe në Gjykatën e Lartë".
"Zgjedhja nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është emergjentë. Ne kemi juristë apo gjyqtarë me kapacitet të lartë profesional edhe moral, të cilët edhe pa kaluar Vettingun në këtë moment duhet të plotësohet ky boshllëk për të marrë pjesën e mandatit të mbetur. Pra nuk kemi një zgjedhje të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese por kemi zëvendësues".
Saimir Vishaj, kreu i avokatëve penalistë
Vishaj shprehet se Vettingu duhet të jetë një proces që të përfshijë dhe avokatin si dhe të bllokohet e drejta e gjyqtarëve të shkarkuar për të punuar si avokat.
"Gjyqtarët apo prokurorët që do të shkarkohen nga Vettingu nuk mund të kthehen më në dhomën e avokatisë. Në avokati ka shumë njerës që kanë blerë diploma dhe që janë të dënuar për vepra të rënda, pra Vettingu duhet të bëhet edhe në avokati", thotë Vishaj.
Për mikrofonin e Report Tv, Vishaj ka sqaruar dhe arsyen se përse prej më shumë se një viti, Shqipëria s'ka mundur të zgjedhë gjyqtarin përfaqësues në Gjykatën e Strasburgut.
"Lidhja e Jurispudencës me politikën bën që deri tani të krijohet ky vakum, pasi nuk është çështje thjesht emri. Këtu është se kush forcë politike do ta mbështesë këtë kandidat ndërkohë që Strasburgu nuk meriton politizim por kërkon profesionalizëm", thekson Vishaj.
Një ditë më parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Fatos Lulo i cili sipas kontrollit rezultoi se nuk justifikonte pasurinë në vlerën e 480 mijë dollarëve dhe një apartament në Kanada.