TIRANË- Kreu i ARRSH, Evis Berberi ka shpjeguar në ‘Studio Live’ në Report Tv kaosin që u krijua në rrugën e Arbrit në ditën e inaugurimit të saj. Bllokimi i 100 makinave mbrëmjen e djeshme ka ardhur për shkak të mos informimit të shoferëve se duhej të ishin pajisur me zinxhirë dhe goma dimërore për shkaka të reshjeve të dëborës.
Përballë gazetarëve Arbër Hitaj dhe Migena Sotirit, kreu i ARRSH sqaroi se rruga është e hapur totalisht dhe se në të punojnë dy borëpastruese në mënyrë që të bëhet pastrimi i dëborës dhe të sigurohet kalimi.
“Dje u bë e aksesueshme në të gjithë aksin e saj, Një rrugë me reliev malor, ka 2 urao më të larta në Ballkan, 7 segmente rrugore. Dje është bërë hapja e këtij aksi, nga Tirana në Dibër bëhet në mënyre normale. Ka problemet e veta, për Qafën e Murrizit pasi tuneli nuk është mbaruar akoma, kemi pasur argjile të mëdha, ujërat nëntokësore. Ky Bypass është ndërtuar në zonë malore, që ka reshje dëborë.
Dje ndodhi që ra dëborë, këto makina nuk ishin të përgatitura që të kishin lëvizje. Kjo nuk do të thotë që rruga është e bllokuar. Kemi dy borë pastruese për ta mbajtur aksin e hapur. Aksi ka qenë gjatë gjithë kohës në lëvizje. Ka pasur vonesa, u hap një rrugë. Mbani mend Bypasin e Vlorës, njerëzit bënin foto. Kurioziteti i madh, mosnjohja e rrugës, kushtet atmosferike”, tha kreu i ARRSH për Report Tv.
Berberi kishte edhe një apel për drejtuesit, ku i bëri thirrje që të marrin masat që në këtë aks të jenë të pajisur gjithmonë me goma dimri dhe zinxhirë në kohën kur është parashikuar për reshje dëbore. Duke qenë se është ende një zonë kantieri, ai thekson se duhet respektuar sinjalistika me rigorozitet.
"Është akoma një zonë kantieri, përdoreni sikur është kantier, respektoni sinjalistikën, nëse ka parashikime për reshje dëborë, automatikisht do përdorini gomat e borës dhe zinxhirët”, tha ai.
Këtë vit Bypassi i Vlorës u hap përkohësisht për shkak të fluksit nga sezoni veror, por Berberi bëri me dije se duke filluar nga maji i vitit 2022 ky Bypass do të hapet përfundimisht. Ndërkohë që pritet të përfundojë edhe aksi Kardhiq-Delvinë që lidh veriun e vendit me Gjirokastrën dhe më pas Sarandën.
“Kemi gati në verë të 2022 një grup rrugësh. Nuk do hapim më rrugë që nuk të çojnë kurrkund, por që kanë zinxhir me njëri-tjetrin. Rruga e Kardhiq-Delvina, plotëson aksin që të çon nga veriu në Gjirokastër dhe Sarandë. Kanë përfunduar dy segmentet matanë tunelit, ka mbetur vetëm tuneli i Skërficës. Brenda majit të vitit tjetër.
Sezonin tjetër përfundimisht i hapur, Bypassi i Vlorës. Aks që lehtëson trafikun, e pamë edhe këtë vit gjatë hapjes provizore. Gati Bypassi i Shkodrës, loti parë brenda këtij viti. Unaza e Tiranës nga shqiponja te pallati me shigjeta do jetë i hapur brenda sezonit veror. Nga sheshi shqiponja te Ura e Lanës, nga Lana në Astir janë të dyja të hapura”, u shpreh Berberi.
Ditën e djeshme u bë inaugurimi i rrugë së Arbrit, si pasojë e reshjeve të dëborës 100 makina mbetën të bllokuara për disa orë, pasi nuk lejohej kalimi pa zinxhirw dhe goma dimri. Ndërtimi i 69 kilometrave, i 6 tuneleve dhe i 4 urave që janë pjesë e projektit të Rrugës së Arbrit në finale kushtojnë 40.3 miliardë lekë, ndërsa kostoja e supervizimit do të jetë 535.1 milionë lekë.