Urdhri për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike dhe bllokimi i tyre ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët.

Të dielën (12 tetor) që sapo lamë pas, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përdorimit të monopatinave elektrike që nga e hëna. E në ditën e parë të javës, policia bllokoi me dhjetra monopatina të qytetarëve të cilët dolën për qarkullim në rrugë.

Përdoruesit e këtyre mjeteve e kanë kundërshtuar urdhrin dhe kërkojnë kthimin pas të monopatinave elektrike që u janë bllokuar.

Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare ka njoftuar një protestë ditën e nesërme (e mërkurë 15 tetor) në orën 10:00 përpara Policisë Rrugore në zonën e Kinostudios.  

Njoftimi i Qëndresës Qytetare:

Me qindra monopatina u janë sekuestruar qytetarëve të Tiranës mbi bazën e një urdhri në rrjetet sociale për të cilin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Brendshme.

Sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private.

Të gjithë pronarët e motomjeteve, të gjendur para kësaj situate, nuk dinë më çfarë të bëjnë. Nëse mjeti yt është konfiskuar dhe po mbahet në mënyrë të paligjshme, të ftojmë të mblidhemi ditën e mërkurë, ora 10:00, para Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar llogari mbi këtë aksion të paligjshëm.