Qëndresa Qytetare ka ngritur alarmin për rritjen e çmimeve të apartamenteve dhe qirave në Tiranë, duke thënë se kryeqyteti po bëhet çdo ditë e më i papërballueshëm për qytetarët. Sipas organizatës, qiratë janë rritur me 20 deri në 30% brenda një viti, ndërsa Tirana renditet e katërta në Europë për pamundësinë e blerjes së banesave.

Komunikata e plotë për shtyp e organizatës Qëndresa Qytetare 

Tirana po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme për qytetarët shqiptarë. Sot, një familje mesatare nuk e ka më mundësinë reale për të blerë një apartament në kryeqytet, ndërsa në 
shumë raste nuk arrin të përballojë as qiranë. 

Qiratë janë rritur me 20 deri në 30% brenda vetëm një viti dhe në zonat qendrore të Tiranës arrijnë nga 500 deri në 1000 euro në muaj. Ndërkohë, standardet ndërkombëtare përcaktojnë se strehimi nuk duhet të kalojë 30% të të ardhurave mujore familjare. Kjo do të thotë se, sipas pagës mesatare të raportuar nga INSTAT, një familje me dy paga mesatare mund të përballojë  maksimalisht rreth 400 euro qira në muaj, një shumë që në kushtet e Tiranës siguron vetëm një apartament 1+1 përtej Unazës, larg qendrës dhe e shoqëruar me kosto shtesë për transportin 
dhe jetesën.

Sipas raportit të Numbeo për vitin 2026, Tirana renditet e 4-ta në Europë si një ndër qytetet më të papërballueshme për blerjen e banesave, me raport çmim-të ardhura 17.6, duke lënë pas edhe kryeqytete si Parisi, Berlini dhe Vjena. Ndërkohë, raporti i Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE) thekson se pastrimi i parave ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të banesave në Tiranë dhe zonat bregdetare të Shqipërisë.

Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, Shqipëria renditet e 9-ta në Europë për trafik kokaine, e 6-ta për trafik heroine dhe e 3-ta për trafik kanabisi, ndërsa investimi i parave të pista në ndërtim po deformon tregun e banesave dhe po e bën strehimin gjithnjë e më të papërballueshëm për qytetarët shqiptarë. 

Qëndresa Qytetare kërkon ndërhyrje urgjente të shtetit për të luftuar informalitetin, ekonominë cash dhe pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, si dhe për të garantuar transparencë dhe akses të drejtë të qytetarëve në tregun e banesave.