Bllokimi i vizave të emigracionit për 75 vende nga Shtetet e Bashkuara përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën ka qenë në fokus të emisionit ‘5 pyetje nga Babaramo’ në Report Tv mbrëmjen e sotme.
I ftuar në emision juristi Indrit Sefa komentoi politikat e ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se lufta e tij kundër emigracionit është primare.
Sipas tij, këto janë lëvizje pezulluese dhe momentale, ndërsa theksoi se çdo taksë e vendosur shkon në favor të popullsisë amerikane dhe jo të emigrantëve.
‘Lufta e Trump ndaj emigracionit është primare dhe kjo është e dukshme. Këto janë lëvizje pezulluese momentale. Zëvendëspresidenti sot është edhe më i egër se Trump. Partia Republikane në Amerikë është politika e Trumpit dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët. E vetmja lidhje që ekziston është përmes taksave donatore, të cilat janë mbajtur më të ulëta. SHBA i ka bërë një të mirë shumë të madhe shtetit shqiptar përmes asistencës që po i jep SPAK-ut, duke e bërë vendin më atraktiv përmes zbatimit të ligjit. Trump nuk po bënë asgjë që nuk ka thënë’, tha ai.
Juristi Redi Rama tha se fokusi i politikave amerikane është qytetari amerikan dhe interesat e brendshme të SHBA-së dhe jo interesat e shqiptarëve.
‘Shqiptarët përbëjnë një numër të madh atje. Amerika ka ndryshuar qasje, ne nuk kemi kapacitete si qeveri, sepse ne nuk kemi mundësi që ti vendosim kushte SHBA dhe jemi të destinuar që ta pranojmë këtë vendim të SHBA dhe Donald Trump-it. Ne nuk bëjmë dot as minimumin, as të shpallim një deklaratë. Synimi i tyre është qytetari i vet dhe interesat e tij, jo interesat e shqiptarëve. Emigrantët ilegalë atje kanë një ekonomi tjetër, kanë përfitimet e veta dhe funksionojnë në një realitet krejt ndryshe’, tha ai.
Avokati Leonard Karaj komentoi ftesën që ish-presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë kryeministrit Edi Rama për Bordin e Paqes. Sipas tij, Rama është i vetmi lider shqiptar që ka marrë një ftesë të tillë.
‘Vetëm Rama ka marrë një ftesë të tillë, edhe pse Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të korruptuara. Rama nuk ka problem me Gazën, sepse është dakord me Izraelin. Lobimin më të madh e ka bërë me Toni Bler. Kjo ka ngritur pritshmërinë se Trump dhe Rama mund të jenë bashkë. Por gjithçka mund të ndryshojë; thonë se sa të vijë Trump, ai mund ta heqë Ramën’, tha ai.
Komente






