Protestuesit kundërshtuan aktakuzën e ngritur më 11 gusht nga Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovincës ndaj Dodikut dhe Lukiqit për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
Protesta kishte moton “kufiri ekziston” edhe pse nuk ka kufij real midis dy entiteteve të Bosnje e Hercegovinës, të cilat quhen “vija demarkimi në mes entiteteve” në Kushtetutën e shtetit dhe Marrëveshjen e Paqes të arritur në Dejton më 1995.
Në protesta morën pjesë rreth 2.000 persona që bllokuan rrugët kryesore që çojnë drejt Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Përveç fotografive të Dodikut, në protesta u panë edhe fotografitë me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, janë dëgjuar edhe thirrje të protestuesve për Ratko Mlladiqin, të dënuar për gjenocid dhe krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Lidhur me protestat e 1 shtatorit në mbështetje të Dodikut – që gjendet në listën e zezë amerikane – ka pasur reagime nga zyrtarët ndërkombëtarë.
Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, i ka cilësuar protestat si manipulim të qytetarëve.
“Është e papërgjegjshme të organizohen ngjarje politike që nxisin përçarje në vijën ndarëse midis entiteteve”, tha Schmidt.
Nga Zyra e Schmidit po ashtu kanë thënë se kjo “vijë midis entiteteve” nuk është “një kufi” midis Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, por është vetëm një vijë administrative.
Ndërkaq, misioni paqeruajtës i Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga autoritetet e Bosnjës” për protestën dhe nuk “kemi vendosur asnjë personel shtesë”.
Asambleja e Republikës Sërpska më herët gjatë vitit ka miratuar një sërë ligjesh, të cilësuara si legjislacione kundër Marrëveshjes së Dejtonit, përfshirë edhe ligjin për mospublikimin e vendimeve të Schmidit, dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat është thënë se nuk do të zbatohen në këtë entitet.
Më 1 korrik, Schmidt i anuloi ligjet anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Schmidt gjithashtu mori një vendim për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale./REL