SARANDË- Disa hotele janë bllokuar pasi nuk kanë paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit.

Një veprim i tillë është marrë në kuadër të aksionit kundër informalitetit, i cili ka nisur në muajin gusht dhe në fokus të tij është zona bregdetare. Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili thekson se ky aksion është përshkallëzuar. Bashkangjitur postimit, Rama ka publikuar edhe hotelet përkatëse ndaj të cilave i është vendosur shiriti "Bllokuar hetimi tatimor". Kreu i qeverisë thekson se këto biznese ishin abuzues përsëritës.

"Përshkallëzohet goditja ndaj informalitetit në zonën e Sarandës, ku një numër i konsiderueshëm subjektesh janë regjistruar, duke paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe një numëri jo të vogël abuzuesish përsëritës, u është bllokuar aktiviteti. Kontrollet vijojnë intensivisht me fokus mbi zonën bregdetare, sektorin e naftës dhe mallrat e tjera të akcizës me ZeroTolerancëndaj abuzuesve", shkruan Rama.

Si rezultat i aksionit kundër informalitetit janë liruar dhjetëra m2 plazhe të zaptuara nga pronarë biznesesh në kundërshtim me ligjin. Ky aksion është shtrirë edhe në sektorët e tjerë si ajo e ndërtimit, të produkteve me akcizë, hidrokarbureve.