TIRANË - Ministria e Brendshme ka bërë të ditur mesditën e sotme se, në Lezhë janë bllokuar 19 kamionë, prej të cilëve, 15 kamionë të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte. Por edhe pse është bërë i ditur numri i kamionëve të bllokuar, ende nuk janë bërë të ditura emrat e kompanive që kanë në pronësi këto mjete.
 
Korrespondenti në Lezhë, i A1 Report dhe Shqiptarja.com Julian Hila, njofton se, janë rreth 1 mijë ton krom i ngarkuar në 15 kamionë që është bllokuar. Gjithashtu ai bën të ditur se, bashkë me kromin, janë bllokuar edhe inerte të ndryshme. I gjithë ky mall kishte një destinacion, Portin e Durrësit.
 
Sipas ministrisë, për këto materiale “transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës”.
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, “më datë 5 nëntor 2013, Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë ka organizuar një operacion për goditjen e aktiviteteve të kundraligjshme në lidhje me ngarkesat me minerale dhe inerte pa dokumentacinon e duhur tatimor”.
 
Sipas ministrisë, policia kishte marrë informacione për lëvizjet pa dokumente dhe për ndalimin e tyre, prej disa ditësh ishin ngritur postblloqe.
 
“Policia prej kohësh kishte mbledhur informacionet e duhura lidhur me këtë aktivitet të paligjshëm dhe prej të paktën dy ditësh kishte organizuar shërbime kontrolli në akset rrugore kombëtare. Nga kontrolli i ushtruar ne aksin rrugor Milot-Laç, është bërë i mundur bllokimi i 19 kamionëve, nga të cilët 15 të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte”, thuhet në njoftimin zyrtar nga Ministria e Brendshme.
 
Sipas policisë, “nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana jonë rezulton se materiali i ngarkuar me krom dhe inerte në këta kamionë, nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe shoqërohet me faturë të thjeshtë shoqërimi, ku nuk është shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij. Minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe Dibrës”.
 
Pas ndalimit dhe kryerjes së procedurave të tjera, dosja me materiale e çështjes do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale ‘fshehje të ardhurave’ dhe ‘falsifikim dokumentesh’ kryer në bashkëpunim të parashikuar”.
 
kamionet me krom lezhe logo
(Në Foto: Kamionët e me krom të bllokuar në Lezhë)

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)