Skrapar – Një operacion kërkim-shpëtimi është përshkallëzuar sot në Kanionet e Osumit, ku një 22-vjeçar nga Berati ka mbetur i bllokuar në ujërat e lumit gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në gjetjen e një 42-vjeçari të zhdukur.
Xhuljano Kaloti, i cili ishte futur vullnetarisht në kërkim të 42-vjeçarit Ilir Kurti (i cili dyshohet se e ka marrë rrjedha dhe ka vdekur), ka mbetur i ngecur në ujë që prej mesditës së sotme. Sipas burimeve nga banorë të Skraparit, incidenti ka ndodhur gjatë lundrimit me kanoe, kur njëra prej gomoneve është përmbysur si pasojë e rrjedhës së fortë të lumit.
22-vjeçari ka ngecur mes shkëmbinjve në zonën e njohur si “Ngushtica e tretë”, në hyrje të një shpelle, ku vijon prej orësh të qëndrojë në ujë në kushte tepër të vështira.
Mësohet se është kërkuar ndërhyrja me helikopter për nxjerrjen e tij me litar, por deri tani nuk ka pasur mbërritje të mjeteve ajrore në zonë. Në vendngjarje ndodhen vetëm banorë të zonës, të cilët po përpiqen ta ndihmojnë duke hedhur litar nga lartësia, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikëses ka qenë e pamundur për shkak të terrenit tepër të thyer.
Temperaturat e ulëta dhe uji i akullt rrezikojnë seriozisht jetën e të riut, i cili kishte hyrë se bashku me disa shokë vullnetarisht për gjetjen e 42 vjeçarit i cili rezulton dy ditë i humbur në ujrat e lumit.
Kanioni i Osumit ka një gjatësi rreth 12 kilometra dhe thellësia e tij arrin deri në 90 metra. Në kushte të prurjeve të larta, ndërhyrja nga persona të pa trajnuar për operacione të tilla paraqet rrezik maksimal.
Operacioni i shpëtimit vijon.
Komente












