SHKODER- Kundër reformës administrative-territoriale kanë protestuar mëngjesin e sotëm edhe banorët e komunës Bërdicë në Shkodër. Po kështu edhe banorët e komunës Pojan të Korçës kanë protestuar ndaj reformës territoriale, pasi me ndarjen e re kjo komunë i bashkohet Maliqit. Banorët e kësaj komune kanë protestuar kundër shkrirjes së saj dhe kanë deklaruar se do të bojkotojnë zgjedhjet.

Protestuesit në Shkodër kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Shkodër-Tiranë, pranë Harkut të Bërdicës.
 
Në krye të kësaj proteste ka qenë edhe kryetari i PD-së, Ramzi Çoba i shoqëruar edhe nga drejtues të pushtetit lokal të partisë demokratike të rrethit Shkodër.
 
Rruga është zhbllokuar menjëherë pas ndërhyrjes së forcave të policisë së Shkodrës, ndërsa drejtuesit e automjeteve kanë pritur për disa minuta për rikthimin e normalitetit. Protestuesit kundërshtojnë ndarjen e Shkodrës në 2 njësi, dhe kërkojnë që disa komuna të nën Shkodrës, Velipoja dhe Bërdica të mos bashkohen me bashkinë Shkodër.
 
shkoder
(Në foto: Banorët e Shkodrës të cilët kanë bllokuar aksin nacional Shkodër-Tiranë, pranë Harkut të Bërdicës) Foto të tjera

Ndërkohë edhe drejtuesit e komunave të zonës së Dukagjinit kundërshtojnë bashkimin me Shkodrën. Banorët e këtyre zonave kërkojnë që secila nga këto zona të qëndrojë njësi më vetë, për shkak të traditave të ndryshme që ato kanë sipas tyre.

Korçë, banorët e komunës Pojan kundër reformës
Edhe Banorët e komunës Pojan në Korçë kanë protestuar kundër hartës së re territoriale e cila e shkrin këtë komunë me bashkinë e Maliqit. Dhjetëra banorë të fshatrave të kësaj komune janë grumbulluar dhe me parulla në duar kanë bllokuar rrugën tek kryqëzimi i Pendavinjit, segment që lidh Pojanin me aksin nacional Korçë-Kapshticë. Banorët njëzëri e kanë konsideruar shkrirjen e kësaj komune si të padrejtë duke deklaruar se do të vijojnë protestat.
 
Komuna Pojan numëron rreth 18 500 banorë dhe është një prej komunave më të mëdha të qarkut të Korçës.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)