TIRANE - Nga data 12 e deri më 30 korrik qeveria nuk do të kryejë dot asnjë veprim financiar me metodat moderne, për shkak të ”fikjes” së sistemit kompjuterik që mundëson aktivitetin e financave në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye Ministria e Financave kishte urdhëruar kryrjen e të gjitha veprimeve lidhur me pagat e punonjësve përpara kësaj periudhe, në mënyrë që të mos ketë ngërç në ekzekutimin e tyre.

ga ana tjetër, ministria gjithashtu urdhëroi që pagesat e domosdoshme të ISSH dhe ISKSH, si dhe ato të borxhit shtetëror, të ekzekutohen nga Banka e Shqipërisë me urdhër të ministrit të Financave.

Nëpërmjet një urdhëri të Ridvan Bodes vihen në dijeni institucionet buxhetore se nga data 12 deri 30 Korrik do të kryhet “procesi teknik i instalimit të versionit të ri të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, kalimi nga versioni EBS11 në versionin EBSR12”.

Më tej, në urdhrin e Bodes specifikohej se, për këtë periudhë sistemi do të jetë i fikur dhe nuk do të kryhet asnjë proces në të. Sipas urdhërit, i kërkohet administratës tatimore të mos aplikojë gjoba ndaj institucioneve shtetërore, të cilat, për shkak të fikjes së sistemit, vonojnë ekzekutimin e pagesave sipas përcaktimeve ligjore.

Po, çfarë mund të fshihet pas këtij veprimi “teknik”? Adriana Berberi, ish-zv.ministre e Financave, në një intervistë për TV A1 Report, është shprehur se gjëndja financiare e vendit është mjaft e vështire, pasi pritet që deri në fundvit të krijohet një gropë prej 42 mld lekësh nga mosrealizimi i të ardhurave buxhetore. Ajo ka theksuar se, për të dalë nga kjo periudhë e vështirë, duhet patjeter që qeveria e re të bëjë transparencë.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)