Tedi Blushi deklaroi se në seancën paraprake të çështjes ndaj Ilir Metës është paraqitur një provë e re që, sipas tij, rrëzon akuzën për lobime. Ai theksoi se një intervistë e ish-ambasadorit amerikan Donald Lu konfirmon se marrëdhëniet dhe takimet e Metës në SHBA kanë qenë institucionale dhe të koordinuara me ambasadën amerikane, duke përjashtuar pretendimet për lobim të paligjshëm. Sipas Blushit, kjo provë tregon se akuzat ndaj Ilir Meta janë të pabazuara dhe se ai do ta fitojë këtë betejë, jo vetëm për veten, por edhe për t’i rikthyer sovranitetin shqiptarëve.
Deklarata e Tedi Blushit
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte dje në përballjen e tij të radhës me SPAK-un me regji. Në një tjetër betejë si shumë të tjera, të cilat Ilir Meta, të gjitha i ka fituar. Seanca e djeshme paraprake gjyqësore e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dëshmoi qartësisht në dritë të diellit se kundër tij ka zero fakte dhe zero prova penale, zero vendime të paligjshëm dhe zero qindrakë të paligjshme.
Narrativa politike e ngritur nga prokurorët e SPAK kundër tij po çmontohet hap pas hapi, duke u ekspozuar si një konstruksion i qëllimshëm, i fabrikuar dhe i mbajtur në këmbë për motive të pastra politike, siç ju diktua botërisht nga Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe nga McGonigalët sorosianë.
Ky proces po provon se standardet e hetimit janë të njëjta me standardet e rrëmbimit të Presidentit Meta më 21 tetor 2024, pa asnjë lidhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe në respekt vetëm me parimet mafioze të Narkoshtetit të Edi Ramës, Gys Agasit dhe Mirlindave të AKSHI-t.
Po ashtu, standardet e hetimit janë të njëjta edhe me standardet e paraburgimit dhe kushtet e izolimit ekstrem në të cilat vijon të ndodhet Z. Meta, si i burgosur politik, përfshirë kufizimet e vazhdueshme të të drejtave të tij dhe vijimin e moszbatimit të 9 rekomandimeve të qarta të Avokatit të Popullit.
Në lidhje me çështjen e lobimeve, gjatë seancës së djeshme paraprake gjyqësore u sqarua se kontrata përkatëse ka qenë midis LSI dhe kompanisë GSIS, duke përcaktuar qartë mënyrën e kryerjes së shërbimeve dhe të pagesave.
Z. Ilir Meta nuk ka pasur asnjë kontratë personale me GSIS apo me ndonjë kompani tjetër, dhe nuk ekziston asnjë provë që e lidh atë me nënshkrim kontrate apo me dijeni për ndonjë veprim të parregullt.
Si pjesë e dokumentacionit dhe provave të paraqitura, është referuar edhe intervista shumë serioze e publikuar më 5 shtator 2016 në revistën MAPO, ku Ambasadori i atëhershëm i respektuar Shteteve të Bashkuara, Z. Donald Lu, si diplomat i përgjegjshëm dhe skrupuloz, ka theksuar natyrën institucionale të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve zyrtare të Presidentit Meta me SHBA, duke konfirmuar se komunikimet dhe takimet e tij në Amerikë janë zhvilluar të gjitha në kuadër të bashkëpunimit dhe respektimit të plotë të ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Pra ambasadori i respektuar i Shteteve të Bashkuara në atë kohë, z. Donald Lu, ka pohuar botërisht të vërtetën e vetme se i ashtëquajturi lobim nga ana e SPAK nuk ka as korruptiv dhe as pastrim i produkteve të veprës penale, por ka qenë një veprimtari shtetërore, e koordinuar plotësisht me ambasadën e SHBA në Tiranë, në funksion të reformës në drejtësi dhe në funksion të një drejtësie sa më të drejtë dhe për një shtet të së drejtës.
DONALD LU: “Z.Meta është Kryetari i Parlamentit Shqiptar. Ai është gjithashtu prej një kohe të gjatë edhe një partner i Shteteve të Bashkuara. A bie unë dakord me z. Meta për çdo gjë? Padyshim që jo. Por ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të vijojmë të kemi një partneritet të fortë. Z. Meta gjithashtu viziton shpesh Shtetet e Bashkuara. Ai ka marrëdhënie të ngushta me disa nga anëtarët e Kongresit, dhe Ambasada Amerikane, ashtu si për të gjithë zyrtarët e lartë, ka ndihmuar në organizimin e takimeve të tyre në Uashington. Ne kemi punuar ngushtë me zyrën e z. Meta për të gjitha vizitat e tij në Uashington.”
Po ashtu, ambasadori i SHBA ka vlerësuar në mënyrë të veçantë rolin institucional të Presidentit Meta dhe LSI në arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, e cila u miratua me 140 vota, një moment historik për vendin dhe që ndodhi, siç ai shprehet kur të gjithë i kishin humbur shpresat se kjo do të ndodhte.
“Dhe ajo që mendoj unë se të gjithë e dinë është se deri në minutën e fundit, asnjë nuk kishte besim se ky ligj do të miratohej, aq më tepër se do të miratohej me votë unanime. Prandaj dhe kur votimi përfundoi, disave prej nesh ende nuk u besohej, më lejoni të them se të gjithëve ne na la mbresa roli që LSI-ja luajti për t’i mbledhur të gjithë së bashku në fund, demokratë dhe socialistë.”
Këto pohime shumë të qartë dhe të vërteta të Ambasadorit Lu përbëjnë elemente të rëndësishme që dëshmojnë karakterin institucional të bashkëpunimeve të kohës dhe rrëzojnë çdo interpretim të shtrembëruar apo politikisht të motivuar për gjoja lobime të Ilir Metës për reformën në drejtësi, kur gjithçka ka qenë e mirëkoordinuar me ambasadën e SHBA në Tiranë.
Partia e Lirisë thekson me vendosmëri nevojën që procesi duhet të vijojë mbi bazën e standardeve më të larta të një gjykimi të drejtë, me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë dhe për integritetin e institucioneve të drejtësisë.
Partia e Lirisë mbetet e vendosur për transparencë, për mbrojtjen e të vërtetës dhe për një proces të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Është një shkelje flagrante e ligjit qe prokurorët mashtrojnë para gjykatës por te gjitha mashtrimet e do të sqarohen dhe publikohen botërisht sapo të fillojë gjyqi në themel ku do cmontohen fund e krye jo vetëm akuzat farsë, por edhe i gjithë procesi.
Pa asnjë diskutim që e vërteta do triumfojë dhe Ilir Meta do ta fitojë edhe këtë betejë siç i ka fituar të gjitha betejat e tjera, sepse ai ka qenë shembulli më korrekt i zbatimit dhe mbrojtjes pa kompromis të ligjit, Kushtetutës dhe interesit kombëtar.
Ilir Meta këtë betejë jo vetëm që e ka të fituar por nuk do ta fitojë për veten e tij por për t’i kthyer sovranitetin dhe lirinë të gjithë shqiptarëve. Siç i fitoi si President të gjitha betejat, edhe në komsionin e venecias, me mafian e edi ramës dhe mcgonigalët e tij, do ta fitojë e ka të fituar këtë betejë sepse fuqia e patriotëve është e papërballueshme nga ligësia e mercenarëve dhe tradhtarëve.
Është një betejë për sovranitetin e çdo shqiptari dhe për ato 200 mijë çështje që ende rinë stok nëpër gjykata dhe u kanë mohuar drejtësinë mijëra e mijëra shqiptarëve.
Komente








