Paralel me mbrojtjen juridike të avokatëve të tij në Gjykatën e Posaçme, edhe Partia e Lirisë është angazhuar për të rrëzuar akuzat e drejtësisë ndaj Ilir Metës.

2 javë nga nisja e gjykimit në themel në GJKKO për dosjen e tij, Partia e Lirisë i quan politike dhe të fabrikuara akuzat ndaj Metës duke u ndalur veçanërisht te çështja e CEZ-DIA-s.

Numri 2 i PL Tedi Blushi thotë se DIA është tërësisht krijesë amerikane pa asnjë lidhje me ish presidentin.

“Kompania DIA, ishte fillim e mbarim, një krijesë amerikane dhe se as ka pasur, as mund të kishte dhe as mund të ketë lidhje me Presidentin Ilir Meta. Shtetasja amerikane Rebecca Gaskin ishte Nr. 1 i DIA-s, jo vetëm de facto por edhe de jure. Emri i saj është kudo edhe në vendimet e gjykatave shqiptare kundër DIA-s, por edhe në Arbitrazhin e Vjenës”, tha Blushi.

Blushi i kërkon trupës diplomatike në vend të marrë pjesë në seancat gjyqësore të Metës:

“Të vijnë më 27 prill në seancën e parë të gjykimit në themel, si edhe në të gjitha seancat e tjera, për të parë se si u justifikua më 21 tetor 2024 rrëmbimi mafioz i presidentit Meta mbështetur vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime.”

Në dosjen ndaj Ilir Metës, ish-bashkëshortes së tij Kryemadhi dhe 3 të pandehurve të tjera, SPAK i kushton vëmendjen më të madhe zbërthimit të aferës CEZ-DIA, mbi të cilën ngre akuzën e korrupsionit ndaj Metës. SPAK ka marrë dhjetëra dëshmi dhe ka bashkëpunuar me letërporosi me disa prej autoriteteve ligjzbatuese të vendeve evropiane dhe jo vetëm.

Historinë e aferës CEZ-DIA, SPAK e nis me krijimin e kompanisë së Kastriot Ismailajt, “Debt Internacional Advisory” në offshore në “Virgin Island”.  Gjatë periudhës së krijimit të kompanisë dhe diskutimit për marrëveshjen, SPAK thekson se Ilir Meta dhe Kastrioti Ismailaj kanë komunikuar plot 115 herë me njëri-tjetrin, telefonata ose mesazhe, në vetëm 5 muaj. SPAK thotë se Meta jo vetëm që e sugjeroi Kastriot Ismailajn e DIA që të ishte personi që do të lidhje kontratën me CEZ ku do të fitonte miliona euro, por e bëri që të merrte pjesë në mbledhjes e Këshillit Mbikëqyrës së CEZ-DIA por edhe Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE, edhe pse ligjërisht nuk i takonte.

27 prilli u caktua disa ditë më parë, data e nisjes së gjykimit në themel të dosjes së Metës.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, ndërsa Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku formën e procedurës së shkurtuar. Ish Presidenti i cili ndodhet në qeli tashmë prej 1 viti e gjysmë ka premtuar se do të jetë i pranishëm në çdo seancë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.