Tirana mirëpret edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, një ngjarje që deri më 15 prill bashkon në kryeqytet personalitete nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti, me synimin për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo në botë.
Nën moton “Diaspora rikthehet në shtëpi!”, aktivitetet nisin këtë mbrëmje në orën 18:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes.
Në dy ditët në vijim do të zhvillohen gjithsej 17 panele diskutimi, 8 prej tyre më 14 prill dhe 9 më 15 prill, ku do të trajtohen çështje që lidhen me zhvillimin, bashkëpunimin dhe rolin e diasporës shqiptare në rajon dhe më gjerë.
Samiti është përshëndetur edhe nga eurodeputeti shqiptar, Adnan Dibrani përmes një videomesazhi.
“Gjatë gjithë kohës si politikan, edhe në Stockholm, por edhe në Parlamentin Europian, kurrë rrënjët e mia nuk i harroj. I lindur në Mitrovicë, i rritur në Suedi, mburrem që jam shqiptar, edhe të gjithë e dinë që jam shqiptar”, thotë ai.
Në fund të samitit nënshkruhet marrëveshja mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
Ky edicion i katërt vjen si një tjetër përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dhe për të dëshmuar se Shqipëria mbetet një, e pandarë, kudo ku jetojnë shqiptarët.

Kliko këtu për të lexuar axhendën e plotë
Komente










