Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, lidhur me vdekjen e 35-vjeçarit Ardit Rapushi në Onkologjikun e QSUT, një vit më parë.

Sipas Blushit, babait të të riut, një ish-oficer policie, i është mohuar e drejta për ta vizituar djalin në spital dhe është njoftuar për vdekjen e tij, 4 ditë pasi ndërroi jetë.

Blushi e denoncoi rastin edhe në seancën e shkuar plenare, ndërsa ditën e sotme përmes një njoftimi për mediat, Blushi ka ngritur 8 pyetje për ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.

Po ashtu Blushi është shprehur se heshtja e Ministrisë së Shëndetësisë për rastin e Rapushit është kriminale.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, në reagimin e tij bëri edhe një deklaratë të fortë kur tha se në spitalet shqiptare, nëse nuk paguan, vdes.

Fjala e Tedi Blushit:

Shëndetësia falas rezultoi një mashtrim i madh dhe i pabesë i Edi Ramës dhe i "Rilindjes", me pasoja shkatërrimtare jo vetëm për për sistemin shëndetësor, por në vecanti për jetën dhe shëndetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, siç e kemi parë në mënyrë tragjike tek rasti tragjik i Onkologjikut.

Por parimi kriminal i “Shëndetësisë falas”, paguaj ose vdis, nuk është thjesht dhe vetëm një rast i izoluar te Onkologjiku, por një parim i cili po shpërfaqet gjithmonë e më shumë në të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar.

Jo më shumë se një javë nga foltorja e Kuvendit, denoncova rastin tragjik të humbjes së jetësë në QSUT të 35-vjecarit të ndjerë Altin Rapushi, i cili shkoi të kurohej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por doli prej saj i pajetë.

Prej më shumë se një viti, babai i tij, Ilirjan Rapushi, një ish-oficer i ndershëm i policisë së shtetit, ende nuk i di arsyet se përse djali i tij humbi jetën në spital ku shkoi për tu kuruar.

Dhe pavarësisht se ka kaluar një javë, Ministria e Shëndetësisë vijon heshtjen e saj kriminale.

Ndaj për këtë arsye sot,

në mbështetje të nenit 90, pikat 1 dhe 2 dhe nenit 91, pika 2, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ju parashtroj kërkesën që Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Znj. Evis Sala, t’iu përgjigjet pyetjeve lidhur me një rast tronditës, çnjerëzor dhe me dyshime serioze për shkelje të rënda ligjore në sistemin shëndetësor publik.

Ish-oficeri i ndershëm i Policisë së Shtetit, Z. Ilirjan Rapushi, prej më shumë se një viti kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij të ndjerë, Ardit Rapushi, 35 vjeç.

Në 19 shkurt të vitit të kaluar, i ndjeri Ardit Rapushi u shtrua për vizitë dhe trajtim mjekësor në Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Sipas babait të tij, për katër ditë me radhë, familjarëve iu mohua e drejta elementare për ta vizituar, pa asnjë shpjegim ligjor apo mjekësor.

Katër ditë më pas, familja, sipas babait të tij, njoftohet se djali i tyre kishte humbur jetën në spital.

Pra, për katër ditë të tëra, trupi i pajetë i një qytetari është mbajtur i fshehur nga familja, pa njoftim, pa transparencë dhe pa asnjë shpjegim.

Edhe më tronditës është fakti se pas më shumë se një viti, familja Rapushi nuk ka marrë ende kartelën klinike të plotë, as dokumentacionin zyrtar që shpjegon shkaqet reale të vdekjes.

I vetmi dokument i dorëzuar nga QSUT është një vërtetim formal, i papranueshëm, ku si diagnozë shkruhet vetëm: “sëmundje e rëndë”, pa asnjë specifikim, pa përgjegjësi dhe pa dinjitet njerëzor.

Në këto kushte, i drejtoj Ministres së Shëndetësisë këto pyetje konkrete, për të cilat kërkoj përgjigje të menjëhershme dhe publike:

PYETJE

1. Përse Ardit Rapushi humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, institucion ku u shtrua për t’u kuruar dhe jo për të vdekur?

2. Kush ka marrë vendimin kriminal për t’ia fshehur familjes për katër ditë faktin e vdekjes dhe trupin e pajetë të djalit të tyre?

3. Cili është personi ose zinxhiri i përgjegjësisë (mjekë, drejtues pavijoni, drejtues spitali, administratë) që ka shkelur ligjin dhe Betimin e Hipokratit në këtë rast?

4. Përse, pas më shumë se një viti, familja ende nuk ka marrë kartelën klinike të plotë, siç e garanton ligji shqiptar?

5. Si shpjegohet dhënia e një vërtetimi banal, pa diagnozë të qartë, për vdekjen e një 35-vjeçari, dhe kush e ka firmosur atë dokument?

6. A ka nisur Ministria e Shëndetësisë ndonjë hetim administrativ për këtë rast dhe, nëse po, cilat janë përfundimet konkrete?

7. A është referuar ky rast pranë organeve të drejtësisë dhe, nëse jo, përse është heshtur për më shumë se një vit?

8. Sa raste të ngjashme ekzistojnë në QSUT dhe në spitale të tjera publike, ku familjarëve u mohohet e vërteta për shkaqet e vdekjes së të afërmve të tyre?

Dua të theksoj së fundmi se ky nuk është vetëm rasti i izoluar në QSUT, pork y në fakt është  një symbol tragjik i kolapsit moral, institucional dhe njerëzor të sistemit shëndetësor public që ka degraduar totalisht, i cili  jo vetëm dështon të shërojë, por prodhon më shumë dhimbje, pasiguri dhe humbje jete.

Shfrytëzoj rastin për të përsëritur thirrjen publike drejtuar Prokurorisë së Posacme SPAK, si dhe të gjitha organeve ligjzbatuese, të nisin hetime të plota për këtë rast, i cili i ka të gjithë elementët e një vepre të rëndë penale.

Drejtësia për familjen Rapushi është detyrim ligjor dhe moral i shtetit shqiptar.

Dhe kjo interprelancë ka pikërisht synimin për ti dhënë fund parimit kriminal të  gjoja shëndetësisë falas, paguaj ose vdis, që sot aplikohet pothuajse në të gjitha institucionet e shëndetit publik.

Shpresoj dhe kërkoj me vendosmëri, që kjo interpelancë urgjente, të mos trajtohet si formalitet, por si një alarm kombëtar për një sistem që po i kushton shqiptarëve jetën.