Ndërkohë që mazhoranca po çon drejt miratimit projektligjin për ndryshimin e formulës së pagave të magjistratëve, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se pagat dhe përfitimet e tyre janë garantuar që me Reformën në Drejtësi të vitit 2016, ndërsa trajtimi financiar është përcaktuar me ligjin për statusin e magjistratëve. Sipas tij, qëllimi i këtyre garancive ka qenë sigurimi i pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përmes një komunikate për mediat, Blushi, tha se debati nuk duhet të përqendrohet te pagat e gjyqtarëve, por te korrupsioni dhe, sipas tij, miliardat që nuk kanë hyrë në buxhet gjatë një mandati qeverisës të Edi Ramës. M
Deklarata e plotë e Tedi Blushit
Shqiptarët nuk kanë asnjë problem madhor me faktin që gjyqtarët dhe prokurorët të paguhen mirë. Pikërisht për këtë arsye, në vitin 2016, në kuadër të Reformës në Drejtësi, pagat dhe përfitimet e gjyqtarëve u ngritën në nivel kushtetues, ndërsa statusi financiar i gjyqtarëve dhe prokurorëve u përcaktua në mënyrë të detajuar me ligjin për statusin e magjistratëve.
Qëllimi ishte i qartë, një trajtim financiar dinjitoz dhe i mbrojtur, që magjistratët të kishin pavarësinë dhe garancitë e nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe për të mos u bërë pjesë e tij.
Prandaj, sot, dhjetë vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi, shqetësimi madhor i shqiptarëve nuk është pse gjyqtarët dhe prokurorët paguhen mirë, por pse Shqipëria që ka pagën mesatare të gjyqtarëve më të lartë në rajon, madje ka edhe pagën e kryeministrit më të lartë në rajon, vijon të mbetet kampione absolute për korrupsionin në kontinent, të mbajë vendin e dytë në botë për ryshfet dhe ku varfëria thellohet vit pas viti aq sa sipas EUROSTAT 55% e shqiptarëve sot nuk mbyllin dot muajin me të ardhurat, pagat dhe pensionet mizerabël.
Përpjekja e kryespekulantit Edi Rama, kreut organizatës kriminale që ka kapur për fyti të gjithë shtetin për ta zhvendosur debatin te pagat e larta të gjyqtarëve, është një manovër e dëshpëruar së pari për të larguar vëmendjen nga përgjegjësia e tij e drejtpërdrejtë për konfliktin e qëllimshëm që ka provokuar me sistemin gjyqësor.
Rama nuk mund të bëjë sikur është spektator në këtë histori, sepse ai është përgjegjësi kryesor për faktin që Parlamenti, të cilin e kontrollon plotësisht, ministri i financave, kryetari i Kuvendit, kryetarët e komisioneve të ligjeve dhe ekonomisë, nuk e zgjidhën qëllimisht çështjen e pagave të magjistratëve brenda afatit të përcaktuar më 31 korrik.
E megjithatë shqetësimi madhor për shqiptarët nuk është fakti se pagat e gjyqtarëve janë më të larta se ato të vendeve të rajonit por se niveli i të ardhurave në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në Shqipëri është më i ulti në rajon.
Sikur niveli i të ardhurave në raport me PBB të ishte sa Bosnjë-Hercegocina 42.5% apo sa Mali i Zi 40.3% dhe jo 28.3% sa e ka Shqipëria (vendi i fundit në rajon) gati 4 miliardë euro në vit, që vidhen dhe përfundojnë në off-shore dhe xhepat e Kryekleptokratit dhe bandës së tij hajdute, do të hynin në Buxhetin e Shtetit.
Kjo diferencë nuk është statistikë.
Janë para, 4 miliard euro në vit ose 16 miliard euro në një mandat qeverisës që nuk hyjnë në buxhetin e shtetit për të rritur pagat, pensionet, mirësinë e shqiptarëve dhe cilësinë e shërbimeve, por që përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe çetës së tij.
Me 4 miliard euro çdo vit ose 16 miliard euro në një mandat qeverisës, mund të rriteshin realisht pensionet në qytet dhe në fshat, pagat minimale dhe mesatare, pagat e mjekëve, infermierëve dhe arsimtarëve, mund të financohej bujqësia, arsimi dhe shëndetësia, mund të ndërtohej një politikë serioze për mbështetjen konkrete të familjeve të reja dhe të rinjve, që sot u duhet të bëjnë 2-3 punë dhe të kursejnë 60 vite, që të blejnë një shtëpi, mund të forcohej mbrojtja civile dhe të bliheshin mjetet që i duhen Shqipërisë për të përballuar zjarret dhe emergjencat civile.
Pra, problemi themelor i shqiptarëve sot është keqadministrimi i qëllimshëm i tatimeve dhe doganave, evazioni fiskal klientelist dhe sistemi i korrupsionit që e privon shtetin nga të paktën 4 miliard euro çdo vit dhe 16 miliard euro në një mandat qeverisës.
Problem madhor është denoncimi i ish-krahut të djathtë të Edi Ramës për Ekonominë, ish-zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj që pohoi se në 18 raporte kontrolle të KLSH-s, Edi Rama, Belinda Balluku dhe qeveria e tij kanë vjedhur përmes skemave korruptive të energjise, Akshi-t, hipotekë, veprave infrastrukturore, etj rreth 9 miliardë euro, pra pak më shumë se buxheti i shtetit dhe pak më pak se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë në 1 vit.
Problemi madhor sot është se drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm te hetimi dhe te ndëshkimi.
Së pari lufta e drejtësisë kundër korrupsionit duhet të jetë në gjendje të parandalojë grabitjen e parave publike, të godasë korrupsionin në majë të piramidës shtetërore dhe të mbrojë pasurinë e përbashkët të shqiptarëve.
Prandaj na duhet një drejtësi e pavarur, që jo vetëm heton dhe ndëshkon, por që së pari parandalon gjakderdhjen financiare, pra korrupsionin skizofrenik të Edi Ramës dhe çetës së tij hajdute.
Problemi është se shqiptarëve prej 13 vitesh u mungon një shtet ligjor, që jo vetëm mbledh taksa, por që i mbron ato nga grabitja dhe i kthen në mirëqenie.
Koha që drejtësia jo vetëm të hetojë dhe të ndëshkojë, por së pari të parandalojë gjakderdhjen financiare përmes mekanizmave mafioze si KAYO, që përmes puçit kushtetues, përjashtojnë kontrollin kushtetues të shpenzimit të parasë publike, duke i garantuar Edi Ramës të vjedhë i qetë taksat e popullit më të varfër të rajonit dhe kontinentit.
Faleminderit!











Komente
Komento