Blushi: Roshi më kërcënoi, debati
pa mikrofon Blushi-Balla /VIDEO

Blushi: Roshi më kërcënoi, debati<br />pa mikrofon Blushi-Balla /VIDEO
Deputeti socialist Ben Blushi ka denoncuar dje nga foltorja e parlamentit, se kryebashkiaku i Kavajës e kishte kërcënuar, sepse deputeti e kishte cilësuar të inkriminuar. Ai lexoi në sallë një mesazh nga Roshi, në të cilën tha se kishte edhe shumë fyerje që nuk mund t’i lexonte. ““O Blush-thotë, jam Elvis Roshi, s’kam bo asnjë krim siç thatë ju dhe shumë shpejt do të dal për sqarim, por borxh nuk të kam ty sa të kem qytetin e Kavajës që më mbështet. Unë...”, etj. etj ka ca sharje që po ja kursej publikut. Unë e neverisë këtë qenie, por ç’rëndësi ka”,-tha Blushi. Ai i kërkoi kryeministrit të dalë e të shprehet për këtë cështje, teksa e akuzoi Ramën drejtpërdrejt si inkurajues të Roshit.

“Pyetja për ty është: pse po ja nxin faqen këtij vendi? Ku e ke këtë aftësi për të grumbulluar kaq shumë të paaftë? O zotëri, kë përfaqësoni këtu? Gjithë llumin e Shqipërisë? Kush janë këta njerëz? Të gjithë me precedentë penalë. Ku e gjen ky guximin? E di unë ku e gjen, se një qytetar i thjeshtë s’do ta kishte bërë këtë. Mendon se e mbron ti, ndaj më çon mua mesazh me kërcënime. Këto janë qenie të neveritshme.

Çështja është jo pse janë, po pse nuk i kap ligji? Sepse i mbron ti. Dil këtu të lutem e thuaj si e ka emrin? Ke ndërmend ta mbrosh akoma mbas kësaj?”-tha Blushi. Pas kësaj ai u ul në vendin e tij, por tensioni i nxitur nga deputetët e opozitës detyroi Metën të ndërpresë seancën. Por demokratët filmuan dhe publikuan një debat të fortë mes Blushit dhe Ballës, i cili u shoqërua me fyerje mes tyre. Balla i kërkoi fillimisht Blushit ta dërgonte cështjen në prokurori nëse ishte kërcënuar, por ky i fundit tha se nuk donte të harxhonte nga taksat e shqiptarëve asnjë lek kushtuar Roshit.

Debati u thellua kur Blushi e quajti PS-në një grumbullim halabakësh. Në këtë moment Balla e sfidoi deputetin rebel të dilte të provonte veten me votë, sepse ishte një deputet i dalë nga lista. Gjuha e Blushit është ashpërsuar, duke përdorur dhe fjalor të pahijshëm: “Dilni e mbrohuni, por nuk jua mban b*tha!”. Sherri ka vijuar edhe me zhurmnajën e opozitës, e cila ka shijuar këtë debat. Blushi është ulur në vendin e vetë e ka thirrur disa herë Ramën: “O frikacak, dil e fol.” Në debat e sipër, Berisha ka ndërhyrë disa herë duke e nxitur Ramën të flasë, por ky i fundit është përgjigjur vetëm me një fjali: “Unë debatin e bëj vetëm me origjinalin, jo me kopjet.”
 
Blushi
Të paguajnë njerëzit taksa për të hetuar Elvis Roshin se më ka çuar mua mesazh. Ore, jeni mirë apo s’jeni? Këta duhen përçmuar, siç përçmoj ty dhe kryeministrin tënd që s’ka b*thë të mbrohet.
 
Balla
Kujt i thua parti halabakësh ti more? Mbylle more gojën. Kur u bë kjo parti halabakësh? Kur nuk u bërë ti kryeministër? Të ishe bërë kryeministër, do e shihje sa e mirë ishte kjo partia jote.
 
 
Ja debatet pa mikrofon
Ben Blushi: Meqë ka ardhur sot kryetari i rilindjes, dhe nuk është shumë kollaj ta gjesh këtu, kam sot një pyetje direkte për të, ndaj e kërkova fjalën për procedurë. Para një jave në këtë sallë jam ngritur e kam thënë në këtë sallë se si ka mundësi që kryetari i Bashkisë së Kavajës, deklaron se nuk mban mend se si është dënuar në Gjermani. Mbasi fola këtu më ka ardhur një mesazh dhe unë dua ta lexoj. “O Blush-thotë, jam Elvis Roshi, s’kam bo asnjë krim siç thatë ju dhe shumë shpejt do të dal për sqarim, por borxh nuk të kam ty sa të kem qytetin e Kavajës që më mbështet. Unë...”, etj. etj ka ca sharje që po ja kursej publikut. Unë e neverisë këtë qenie, por ç’rëndësi ka.  Tani kam një pyetje për ty Ramën, ky e ka emrin Ervin apo Elvis? Kush është ky që më çon mua mesazh?

Se ti thua që e ka emrin Ervin. Ai thotë Elvis. Ky e ka numrin 069 600 7770. Kush është ky? Elvisi apo Ervini? Shkon në fushatë e thua: sa mirë që e ka ndryshuar emrin ky Elvisi, pasi një problem si gjithë emigrantët, dhe e ndërroi. Po në KQZ, si shkon ky, si Elvis, apo Ervin? Pyetja për ty është: pse po ja nxin faqen këtij vendi? Ku e ke këtë aftësi për të grumbulluar kaq shumë të paaftë? Ervinin dhe Elvisin në Kavajë, Shukriun në Peshkopi, Qazon në Elbasan, që para dy muajsh më tha do të vras se kisha bërë një libër. O zotëri, kë përfaqësoni këtu? Gjithë llumin e Shqipërisë? Kush janë këta njerëz? Të gjithë me precedentë penalë. Ku e gjen ky guximin? E di unë ku e gjen, se një qytetar i thjeshtë s’do ta kishte bërë këtë.

Mendon se e mbron ti, ndaj më çon mua mesazh me kërcënime. Elvis Roshi...pfff. nëpër lagjet e Tiranës kur kam qenë i vogël kam parë me dhjetëra si puna e atij. Këto janë qenie të neveritshme. Çështja është jo pse janë, po pse nuk i kap ligji? Sepse i mbron ti. Dil këtu të lutem e thuaj si e ka emrin? Ke ndërmend ta mbrosh akoma mbas kësaj?   

Taulant Balla: Blush dërgoje në prokurori atë që the në Parlament, mos fol këtu.
Ben Blushi: Jo..
Taulant Balla: Pse, nuk shkohet në Prokurori, ë?
Ben Blushi: Nuk shkoj për halabakë unë. Ashtu i keni grumbulluar ju, ti, ky e ai tjetri aty.
Taulant Balla: Ik ore...
Ben Blushi: Ju doni të talleni, jeni fundërrina e këtij vendi. Kë të marr seriozisht unë, ty apo Elvis Roshin? Kallëzim penal thotë. Në prokurori shkohet kur merresh seriozisht. Ky është një palaço. Të shkoj në prokurori për këtë? Të paguajnë njerëzit taksa për të hetuar Elvis Roshin se më ka çuar mua mesazh. Ore, jeni mirë apo s’jeni? Këta duhen përçmuar, siç përçmoj ty dhe kryeministrin tënd që s’ka b*thë të mbrohet.

Taulant Balla: Jeni bërë tre: Basha, Berisha, Blushi. Të të vijë turp. Ke ardhur nga lista e partisë. Shko votohu në popull e shiko sa vota merr. Ik ore..
Ben Blushi: Edhe ti dole nga lista e partisë. Pse more, do merrem me halabakë sipas teje?
Taulant Balla: Kujt i thua parti halabakësh ti more? Mbylle more gojën. Kur u bë kjo parti halabakësh? Kur nuk u bërë ti kryeministër? Të ishe bërë kryeministër, do e shihje sa e mirë ishte kjo partia jote.

Ben Blushi: Ramë, hajde fol këtu.
Taulant Balla: Do flasë ai, do flasë. Por partinë mos e shaj.
Fatmir Mediu: Pandi, të kanë dalë ushtarët prej duarsh.
Ben Blushi: Ngrihu, se ke shok Elvis Roshin.
Taulant Balla: Shok e ke pasur dhe ti.

Ben Blushi: Shok nuk e kam pasur unë, as atë as ty.
Sali Berisha-Ramës: Bëhu burrë, dil vetë. Mos fol me cakenjtë.
Taulant Balla: O Sali, nuk marrim urdhra nga ty. Edhe ti edhe Blushi jeni një lloj.
Ben Blushi: Përgjigju aty, përgjigju. Çohu, o frikacak, çohu. Mos rri aty. Dil këtu e fol.
Ilir Meta: Ju lutem, fjalën e ka z.Mediu.

Ben Blushi: Ngrihu o frikacak. Ngrihu. Mos më shih ashtu. Shoku Elvisit. Fol.
Ilir Meta: Të lutem, të kemi durimin t’i dëgjojmë të gjithë me qetësi.

Ben Blushi: O frikacak...
Jozefina Topalli: O zoti kryetar, ndërhyni. Nuk është gjë për tu anashkaluar kjo.
Ilir Meta: Ju lutem, me qetësi. Mos e ndërprisni zotin Mediu!
Ben Blushi: O frikacak...fol.
Arben Ahmetaj: Ai përgjigjet kur do vetë, jo kur i thua ti, po ulu aty.
Jozefina Topalli: Avash, s’mund të bëni sikur s’ka ndodhur gjë këtu.
Arben Ahmetaj: Nuk do ngelemi peng nga një legen tani.
Jozefina Topalli: Ju lutem zbatoni rregulloren e parlamentit.
Edi Rama: Unë debatin e bëj vetëm me origjinalin, jo me kopjet. 


  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501