TIRANE- Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi ishte ditën e sotme në ambientet e gjimnazit Sami Frashëri e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit, ku akuzoi pushtetin lokal dhe atë qendror se kanë braktisur nxënësit e saj. Boçi tha se shkollës i është vënë dryni kur në fakt duhet t'i ishte vënë shiriti i krimit, ndërsa bëri përgjegjës për dëmtimin e saj, firmën që ka marrë përsipër rikonstruksionin e bërë një vit më parë.
"Situatën ju e shihni vetë. Nxënësit në shkollën Samit Frashëri janë braktisur. Nuk ka një inspektim të plotë të dëmeve. Shkollës i është vënë dryni kur në fakt duhet t'i ishte vënë shiriti i krimit. Kjo shkollë është rikonstruktuar një vit më parë. Mungon dhe transparenca për të gjitha dokumentet që duhet të paraqesë Bashkia e Tiranës. Ju e pasqyroni, fasada e propagandës nuk mund të mbulohet. Nuk e mbulon as Rama, as Veliaj që fshihet pas propagandës kur duhet të ishte këtu për të thënë se kush mban përgjegjësi për shkollat e dëmtuara dhe si u procedua për të nxjerrë firmën fituese që bëri rikonstruksionin dhe a mban bashkia përgjegjësi për situatën në këtë shkollë dhe shkolla të tjera. Boll me propagandë. Përgjegjësitë t'i mbajnë ata që kanë kryer këtë krim", u shpreh Boçi.
'Sami Frashëri' është edhe një ndër shkollat më dëme më të mëdha në kryeqytet si pasojë e tërmetit. Asaj i është vënë edhe shiriti prej më shumë se tre javësh pas inspektimit nga inxhinierët e ndërtimit. Godina pësoi dëmtime serioze, më së shumti në katin e tretë të godinës, aty ku ka rënë dhe tavani. Pak ditë pas tërmetit u pezullua nga detyra edhe drejtoresha e saj Teuta Dobi, për shkak se kishte lejuar nxënësit të futeshin në shkollë për të zhvilluar një provim në lëndën e gjermanishtes në datë 27, vetëm një ditë pas tërmetit tragjik.