Bode: Buxheti 2015, agresiv
rëndon mbi xhepat e qytetarëve

Bode: Buxheti 2015, agresiv<br />rëndon mbi xhepat e qytetarëve
TIRANE- Ish-ministri i Financave Ridvan Bode e ka cilësuar agresiv buxhetin e qeverisë për vitin 2015, duke u shprehur se parashikohet rritja e taksave duke dëmtuar ekonominë e qytetarëve dhe të bizneseve. I ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”, Bode tha se ekonomia e vendit ka stopuar për shkak të ndërprerjes së kreditimit, dhe mos rritjes së pagave e pensioneve. Bode tha se është thelluar deficiti tregtar në vend, duke u ndalur kryesisht tek sektori energjetik dhe industritë e tjera që lidhen me import-eksportin.
 
Sipas ish-ministrit Bode, qeveria Rama-Meta nuk parashikon asnjë investim publike në rrugë, shkolla e spitale, por rrit vetëm shpenzimet administrative.
 
Duke u ndalur tek çështja e koncensionarit të shenjimit të karburanteve, Bode tha se është një koncesionar i rëndësishëm, pasi rreth 60% e karburanteve në vend janë jashtë standardit.
 
I pyetur lidhur me skandalin që përfshiu Bankën e Shqipërisë, Bode tha se është drejtësia ajo që duhet të japë gjykimin e vlerësimin përfundimtar për këtë çështje.
 
Sa i takon bojkotit të opozitës në Kuvend, Bode tha se tashmë PD i ka bërë të qarta shkaqet që kanë çuar në këtë situatë. Ndërsa shtoi se është qeveria ajo që duhet të zbatojë ligjet dhe Kushtetutën.
 
Buxheti po diskutohet herët për herë të parë, është për t’u përshëndetur?
Buxheti nuk ka shkuar me herët në parlament, por qeveria po përshpejton afatet e diskutimit në parlament, duke mbyllur diskutimin publik me grupet e interesit dhe qytetarët. Detyrimi ligjor është që të vinte në fund të muajit tetor, po s’ka ndodhur kështu. Pozitive është çfarë një buxhet përmban.
 
Parametrat e buxhetit janë bërë publike. si i gjykoni?
Ne kemi deklaruar dhe faktuar me shifra e analiza se ky buxhet bazohet në rritjen progresive të taksave. Programi i qeverisë për buxhetin është agresiv, pasi ka bërë rritje taksash. Beson se me anë të kërbaçit do të mbledhë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Vetëm rreth 10 % e tij do të vijë nga biznesi apo kompanitë përmes taksave mbi të, dhe barra më e madhe bie mbi qytetarët. Rritja e taksave në këto dimensione është mbi qytetarët, ndërkohë që është stopuar rritja e pagave dhe pensioneve. Ka gjasa që 2014 të mbyllet me një rënie ekonomike. Rritja 2 % për vitin 2014, do të thotë rritje prej 1.4 % për 2013. por qeveria për këtë vit të kaluar foli ndryshe, duke e paraqitur në shifra më të ulëta.
 
Mos është pak spekulativ ky parashikim. Pasi krahasimi me atë periudhë mbase nuk është realist?
Nuk shihet tek ecuria e 6-mujorëve, por tek zhvillimi i ekonomisë. Nuk ka patur rritje të kreditimit, dhe kjo ka dëmtuar zhvillimin ekonomik. Në vitin 2014 në 6-mujorin e parë, jo vetëm që janë bllokuar kreditë, por janë rritur edhe kreditë e këqija. Kjo nuk lidhet me atë që ka qenë më parë. Rreth 9 % e kredive të këqija u fshinë nga sistemi bankar. Këtu nuk ka rritje të kreditimit bankar të ekonomisë. Edhe investimet e huaja kanë rënë. Investimet publike janë në gjysmën e atyre të një viti më parë. Rritja e numrit të të papunëve në treg, mosrritja e pagave e pensioneve, janë ato që paraqiten në prag të miratimit të këtij buxheti. Kjo do të thotë se prodhojmë shumë më pak nga sa konsumojmë. Kemi thellim të deficitit. Deficit kemi pasur. Por këtë vit kemi vëllim të deficitit me 10 %. Unë po flas me statistikat e vetë qeverisë, të publikuara në fund të 9-mujorit.
 
Cilët janë sektorë që e kanë të theksuar këtë nivel?
Është energjetika që ka krijuar deficit, dhe industri të tjera që lidhen me import-eksportin. Në këtë vit qeveria pati mundësinë të futë 300 mln dollarë nga jashtë.
 
Kjo qeveri ka bërë atë që ju bënit në 2-3 vitet e para të qeverisjes, duke shtuar buxhetin ...
Qeveria u mundua të rishikojë në ulje atë që bëri me taksat. Menduan një të ardhme me pozitive, por kjo nuk u përkthye në të ardhura në buxhetin e shtetit. Vetëm rritja e taksave duhet të jepte një rritje 18 %, por kjo nuk ndodhi, pasi po rriten taksat, por po rriten edhe shpenzimet në mënyrë galoponte. Pati rënie të investimeve në kompanitë e konfindustrisë. Qeveria programon një rritje optimiste për vitin 2015, por nuk justifikohet me burimet për arritjen e këtyre investimeve. Atëherë kjo rritje është një deklaratë boshe. Do të ketë një moment të rishikimit të buxhetit në 2015.

Ju prokuronit rrugë, ujësjellësa, ndërsa në buxhet i mbulonit me 2% të vlerës së tyre, dhe kjo qeveri duhet të shlyejë detyrimet e prapambetura ...
Investimet publike për qytetarët janë më të ulëta nga viti 2010, 2011, 2012. Nuk kanë shtuar asnjë fond për investime. Nuk ka asnjë investim të ri në asnjë komunë, as rrugë, as shkollë, as spital. Thjesht vënë një zë në buxhet si buzëkuq për investimet e bëra më parë. As rruga Tiranë-Elbasan nuk ka përfunduar ende, duke bllokuar edhe segmente të tjera. Vetëm shpenzimet administrative të qeverisë janë rritur. Shtohet buxheti i Ministrisë së Brendshme. Rriti pagat e policëve në fillim të vitit, dhe tani po shton numrin e uniformave blu. Nuk ka rritje të investimeve as në arsim e as në shëndetësi. E ka fokusin vetëm tek fasada, siç ka bërë gjithmonë, por nuk ka asnjë investim anë e mbanë vendit.
 
Ju thatë që bizneset e huaja nuk vijnë pasi janë rritur taksat. Ndërkohë që “Të bërit biznes” e rendit vendin 40 vende me lart?
Janë reformat e vitit 2012 që janë listuar në këtë publikim të fundit, dhe ne në atë vit bëmë një sforco për investime. Me bllokimin që i ka bërë qeveria që nuk jepet asnjë leje ndërtimi do të vejë renditja prapë aty ku ka qenë. Ka patur disa procese në atë periudhë që dhanë atë vlerësim dhe renditje pozitive. Por ajo çka ndodhi me rritjen e taksave këtë vit do të bëjë më të vështira investimet.
 
Ka patur shqetësime nga biznesi edhe sa i takon markimit të karburanteve ...
Ne kemi karburant importi, jo vendas. Këtu rafinohet vetëm nafta e nxjerrë na puset tona. Ajo është një sasi jashtëzakonisht e limituar, dhe nuk ka peshë në treg. Karburanti ynë është i keq pasi përpunohet. Ka nafta që nuk injektohen për t’u futur në treg, por kjo ndodh. Ne kemi pasur një Inspektoriat Qendror Teknik që duhet të merrej me këtë, por nuk ia doli dot. Shenjimi i karburanteve bën dallimin.
 
Pse nuk ja vinit si kusht importuesve të naftës?
Kanë ardhur kompani të huaja që e monitorojnë këtë proces, dhe ka shumë vende që e bëjnë këtë. Edhe në Greqi paguhet për ngjyrimin e karburanteve. Koncesionari në të kundërt përgjigjet për mbarëvajtjen e punës, dhe në rast mos realizimi të punës penalizohet. Ky është një nga koncesionet që sot duhet të kishte vendosur rregull në treg. 0.7 lek për litër paguan çdo kompani për ngjyrosjen e karburantit. Rreth 60 % e karburanteve në vend janë jashtë standardit, janë të përziera. Për këtë punë jepen koncesionet, që të vendoset rregull. Nuk është aspak korruptim. Ky koncesion është një nevojë urgjente e kompanisë sonë për të bërë monitorimin e tregut të karburanteve.
 
Flasim për problemin e pullave fiskale?
Ky është një problem i ngritur vetëm nga kompanitë e birrës. Këto para për pullat e cigareve, apo pijeve, pasi dogana nuk ia doli dot, pasi në treg u gjetëm pulla të falsifikuara. Ata që qahen se paguajnë më shumë nuk është kjo arsyeja.

Bota financiare në vend u trondit nga skandali ku u përfshi Banka e Shqipërisë. mendoni se është zgjidhur apo është ende një bombë me sahat?
Për qytetarët me rëndësi është të gjendet një zgjidhje. Ndërsa është drejtësia ajo që i shkon në fund këtij procesi. Nuk me interesojnë ato që janë bërë publike, pasi shpesh ka deklarime të influencuara, ajo që ka rëndësi është ajo që do deklarojë drejtësia në fund. Unë e konsideroj një incident shumë të rëndë. Jo se nuk ka ndodhur në ndonjë bankë tjetër këtu në Shqipëri, apo banka qendrore në vende të tjera siç ka ndodhur edhe në Francë. Duhet të bëhej më shumë kujdes lidhur me procedurat që kanë të bëjnë me emetimin e parasë. Mbase kjo ka qenë edhe arsye pse u vetëdeklarua personi, i takon organit hetimor për ta parë shkallën e ngarkesës së kësaj ngjarje.
 
U bë debat një muaj më parë lidhur me zgjedhjen e Guvernatorit të BSH?
Banka e Shqipërisë mbetet një nga institucionet më të rëndësishme që ka vendi. Edhe FMN ka përdorur BSh për të monitoruar më së miri situatën ekonomike e financiare në vendin tonë, pa u përplasur me qeverinë. Fakti që një krizë financiare kaloi në rajon dhe në botë, dhe në Shqipëri stabiliteti financiar mbeti i paprekur, flet për misionin kryesor të realizuar nga BSH.
 
Brenda grupit parlamentar të PD ka zëra se duhet të ktheheni në parlament. A mendoni se duhet të ishin ditën e sotme aty?
Sigurisht që duhet të ishim, por nuk jemi aty për faj tonë. Arsyet pse opozita doli nga Kuvendi tashmë janë bërë të ditura. Tek ne opozita nuk ka votat, dhe sovranitetin e popullit e vendos ai që ka një votë më shumë. Opozita ka si mision të flasë dhe të dëgjohet. Ne dolëm në momentin kur ai nuk pranonte asnjë lloj komisioni. U tërhoq tani, ndërkohë që moszbatimi i ligjshmërisë edhe në një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese janë permanente. U përdor dhe dhuna, me “mbyllni gojën”. Opozita kërkon angazhimin e mazhorancës së sotme në zbatimin e kushtetutës, por qeveria vazhdon të mos njohë as ligj e as Kushtetutë në një sërë çështjesh të tjera.
 
Ju dha të drejtën që përfaqësuesi i PD të flasë në kohë të barabartë me kryeministrin?
Këtë e kërkuan ata. Por këta votuar tre ligje, dhe dy nga ata i shkelën. Ligji i nëpunësit civil u mor nëpër këmbë. Për sistemin e drejtësisë kjo mazhorancë duke pasur numrat bëri ndryshime, dhe nuk i diskutoi as me opozitën, as me presidentin, dhe as me ndërkombëtarët.
 
A mos ka ky bojkot me përjashtimin për disa ditë nga salla e Kuvendit për ish-kryeministrin Berisha?
Jo, kjo nuk qendron. Ka ndodhur shumë kohë më parë.
 
Ka zëra se vendimi për të bojkotuar Kuvendin është imponuar nga Basha që është jashtë Kuvendit dhe prurjet e reja që po sjell ai në PD?
Këto janë hamendje që unë nuk i besoj. Beteja politike në Kuvend është e padiskutueshme. Kjo u kërkua për të vendosur disa binarë. Nëse krimi vijon të jetë në Kuvend, këtu nuk do të ketë më zgjedhje politike. Nëse krimi i organizuar udhëheq politikën, padiskutim që në vend do të ketë rrezik të madh. Të gjithë duhet t’i themi stop një rrjedhe që do të jetë fatale për fatet e politikës shqiptare.
 
Patozi është shprehur se nuk i njeh prurjet e reja në PD?
Nuk është e thënë t’i njohim të gjithë. Këto janë procese që ndodhin. Rinovimi duhet të jetë i vazhduar dhe me kalimin e kohës është normal. Se çfarë mund të sjellë ky proces ngelet për t’u marrë edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Do të doja që ky proces të ishte më i limituar në kohë. Pasi zgjatja në kohë krijon debate, që nuk janë të inkurajueshme, dhe janë në të mirë të punës. Këtij procesi po i vjen fundit, dhe të gjithë së bashku do të jemi gati për zgjedhjet e ardhshme. Unë jam në kryesinë e PD, nuk garova për postin e Sekretarit të Përgjithshëm pasi jam prej 16 vitesh në këtë detyrë, dhe është mirë që të ketë rotacion.
 
Në optikën tuaj Berisha është i pranishëm më shumë nga sa ç’duhet në PD?
Unë nuk di të merret. Ai ka deklaruar publikisht se u largua nga kryesimi i PD. Është zoti Basha në krye të PD. Ka qenë dhe mbetet prezent në çështjet politike të vendit, por jo në ndërhyrjen në PD.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën