Champions League mbylli këtë të martë katër çiftet e para të ndeshjeve play-off, të vlefshme për aktin e dytë. Një biletë për në fazën e 1/8-ave ia dolën të merrnin Atletico Madridi, Bayer Leverkuseni, Bodo/Glimt dhe Newcastle. Surpriza më e madhe e mbrëmjes ishte humbja e dytë në gjashtë ditë e Interit kundër norvegjezëve të Bodo/Glimt dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2 italianët janë eliminuar nga Champions League.
Në ‘Giuseppe Meazza’ Interi u mposht sërish nga Bodo/Glimt, këtë herë 1-2. Norvegjezët fituan edhe gjashtë ditë më parë 3-1 në fushën e tyre dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2 marrin një biletë për në fazën e 1/8-ave. Mes 75 mijë tifozëve në ‘Meazza’ të Milanos dhe me miliona ndjekës në gjithë botën, Bodo/Glimt ka bërë një nga surprizat më të mëdha të kësaj faze duke eliminuar Interin.
Për Bodo/Glimt deçiziv ishte ish-sulmuesi i Milanit, Jens Hauge, i cili shënoi golin e parë në minutën e 58-të dhe asistoi për Hakon Evjen 14 minuta më vonë. Te Interi shkurtoi Bastoni në minutën e 76-të, por goli shërbeu sa për statistika. Afro 18 milionë euro ka humbur Interi nga ky eliminim.
Në ‘Metropolitano’ të Madridit, Atletico fitoi 4-1 kundër Club Brugge. Pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, ‘Los Colchoneros’ nuk surprizuan në takimin e shtëpisë. Sorloth shënoi në minutën e 23-të për vendasit, por Ordonez barazoi dhe e mbylli 1-1 pjesën e parë. Në pjesën e dytë Atletico shënoi edhe dy gola të tjerë me Sorloth (tripletë) dhe një nga Cardoso.
Newcastle fitoi 3-2 kundër Qarabag dhe me rezultatin e përgjithshëm 9-3 kalon më tej, ashtu si Bayer Leverkusen që iu fal fitores 0-2 në Athinë kundër Olympiacos në ndeshjen e parë.
Të mërkurën do luhen edhe katër ndeshjet e radhës nga ku do mësohet panorama e plotë e 16 skuadrave që do garojnë në 1/8 e Champions League.
Champions League, faza play-off, ndeshjet e kthimit:
E martë, 24 shkurt 2026
18:45
Atletico Madrid 4-1 Club Brugge (3-3)
21:00
Bayer Leverkusen 0-0 Olympiacos (2-0)
Inter 1-2 Bodo/Glimt (1-3)
Newcastle 3-2 Qarabag (6-1)
E mërkurë, 25 shkurt 2026
18:45
Atalanta - Dortmund (0-2)
21:00
Juventus - Galatasaray (2-5)
PSG - Monaco (3-2)
Real Madrid - Benfica (1-0)
Shënim: Në kllapa () janë rezultatet e ndeshjeve të para mes secilit çift
Komente




