Ralf Gjoni që pranoi të merrte mandatin nga listat e LSI-së mbrëmjen e djeshme pati një debat të fortë me ish-deputetin Ervin Salianji në emisionin 'Open', ndërsa pas mbylljes së kamerave burime gazetareske pohojnë se demokrati e goditi me shuplakë deputetin e opozitës së re.

Debati nisi në emision kur Salianji u shpreh se deputetët e opozitës së re, nuk i hyjnë në punë as dreqit, por janë futur në parlament për të marrë një rrogë. Gjoni reagoi duke akuzuar se opozita e vjetër që braktisi parlamentin ka alternativë vetëm dhunën. "Më zunë pritë në pragun e shtëpisë" tha Gjoni duke kujtuar incidentin e sulmit me bojë.

Ndërsa Salianji u përgjigj duke thënë se "Të kanë bërë pak, shumë pak, më shumë do të ndodhë" dhe vijoi kërcënimin duke thënë "qytetarët jo vetëm në atë formë, por do të ketë reagim edhe më shumë nga qytetarë që nuk kanë përfaqësim nga njerëz si ti".

Debati mes palëve u ashpërsua akoma më shumë dhe Gjoni i kërkoi Salianjuit “Mos guxo më të ma kujtosh më atë moment. Unë kam familje, turp të kesh! Nuk bëhet fjalë për bojën, por është agresion fizik ndaj familjes sime nga njerëz që zënë pritë në hyrjen e banesës sime. Mos guxo më Salianji të më përdorësh atë episod kriminal për të më kërcënuar” tha Gjoni.

“Unë kam turp që dal në të njëjtin ekran me ty, por çfarë të bëj! Ti je budalla! Ti je aty për të marrë një rrogë dhe kaq. Mos ma trash zërin mua se e ke të hollë” u përgjigj tha Salianji. Ndërsa në përfundim të emisionit, në momentin që po dilnin nga studiot, Salianji e ka goditur me shuplakë Ralf Gjonin. Për të shmangur përplasjen fizike kanë ndërhyrë punonjësit që ndodheshin të pranishëm në atë moment.

Debati ne emision mes Salianjit dhe Gjonit