TIRANË - Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, u fokusua sot tek financimet e partive, si një nga shkaqet kryesore të keqqeverisjes, korrupsionit dhe kriminalizmit të politikës në Shqipëri.

Ai tha se mënyra si financohen politikanët kushtëzon mënyrën se si ata qeverisin dhe për kë ata qeverisin.

Kandidati Bojaxhi u shpreh se fushata aktuale po shndërrohet në një shfaqje serioze të këtij problemi.

Ajo është shndërruar në një aksion masiv propagande miliona eurosh. Televizionet po bombardohen me reklama, kostoja e të cilave është marramendëse; qyteti është i mbuluar në postera, flamuj dhe materiale propagandistike; zyrat elektorale kanë mbirë ngado dhe janë sot më të shumta se dyqanet e bukës”,- tha Bojaxhi.

Kandidati i pavarur ngriti alarmin se paratë për financimin e fushatës janë dhënë më së shumti në shkelje të ligjit i cili i kufizon dhurimet e çdokujt në 10 milionë lekë. Këto para janë dhënë kryesisht për t’u shkëmbyer me favore në të ardhmen.

"Një gjë është e sigurtë: një kryetar bashkie i ardhur në pushtet me borxhe miliona euroshe ndaj bizneseve dhe individëve është i detyruar t’ua kthejë atyre borxhin disa-fish në favore dhe privilegje në kurriz të interesit publik", - tha Bojaxhi .

Ai theksoi se financimi i kësaj fushate është treguesi më i qartë se nëse votohen përfaqësuesit e partive të mëdha, qeverisja e Tiranës do të vazhdojë të jetë klienteliste dhe e korruptuar.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)