Gjergj Bojaxhi, i cili garoi si kandidat i pavarur në Bashkinë Tiranë ka paralajmëruar themelimin e një partie politike. Bojaxhi, që në garën për Tiranën mori mbi 16 mijë vota, tha se qytetarët kanë nevojë për një politikë ndryshe.

“Me punë vullnetare kemi mundur t’i japim shpresë qytetit, t’i japim shpresë gjithë Shqipërisë. Ka ardhur koha që me këtë mbështetje të vazhdojmë në mënyrë që e gjithë Shqipëria të ketë një alternativë politike. Të tregojmë se kemi nevojë për një politikë ndryshe, politikë të re që u jep njerëzve shpresë”, u shpreh Bojaxhi.

Në fund, ai uroi për fitoren Erion Veliajn si dhe kandidatët e tjerë që morën pjesë në betejën elektorale të 21 qershorit për Bashkinë Tiranë. “Do të doja të përgëzoja fituesin e kësaj gare dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë”, përfundoi Bojaxhi.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)