Bojaxhi: Pse u zhgënjeva nga
PD, ofertë nga Spahiu e Topi

Bojaxhi: Pse u zhgënjeva nga<br />PD, ofertë nga Spahiu e Topi
TIRANE- Takimin me të e kemi lënë tek Komuna e Parisit në një bar që as emrin nuk ja di. Për një gazetar takimi në orën 9 pa 15 minuta të mëngjesit është mallkim, por përpara një interviste gjumi bëhet aq më tepër, kur e di që është e vetmja mundësi. E qëmtoj që për së largu dhe nuk është e vështirë ta dallosh mes gjithë njerëzve të mëngjesit. Ai është veshur me një palë pantallona bezhë, bluzë ngjyrë blu e pambuktë dhe çanta e sportit më dy rripa si ato të shpinës që mbajnë fëmijët, ose të huajt, ose alpinistët!

 Kur takohemi dalloj që ka marr shumë ngjyrë në fytyrë dhe flokët pak bjond me sytë bojëqiell evidentohen dukshëm. E kam takuar në 2007 për here të parë kur drejtonte KESH, në atë kohë ra në sy, jo për kundërshtitë ndaj partisë në pushtet që sot i ndan hapur, por për modelin e veçantë që solli në Shqipëri. Po tentoj t'jua tregoj dhe ju si ishte impakti i parë. Në atë kohë punoja për Top hannel dhe duhet të ndiqja për një reportazh, një ditë pune të drejtorit të KESH.
Ishte dhjetor dhe bënte ftohtë. Ai me një xhup të lehtë pak të gjerë dhe këpucë të rehatshme, shumë i ngjashëm me një amerikan takonte banorët dhe i sqarontë një e nga një. Më të drejtë 13 vite ne SHBA, bëjnë të vetën. Ai hipi mbi disa taraca dhe për një orë m'u zhduk fare nga sytë.
Ishte aq i shpejtë saqë me humor e pata thënë mes kolegësh se m'u duk vetja me "uomo ragno-n" në një fshat të Tiranës.
Sigurisht që mbeta e impresionuar prej modelit të tij të veçantë. Pata një intuitë në atë kohë, që koha si për ironi nuk është se e rrëzoi. Ai sot në një farë forme është në një udhëkryq të karrierrës politike. Nuk dihen arsyet pse Gjergj Bojaxhi nuk ja doli në PD, por pas 6 vitesh jetë publike ai ka vendosur të ngjis Everestin.

- Qenke nxirë sikur ke bërë plazh dukesh dhe jo sikur ke qënë në stërvitje palestre?
-Është prej stërvitjes në male. Dielli mbi dëborë është më i fortë.

- Kur nisesh për të sulmuar majën e Everestit?- e pyes unë.
- Për një javë nisem. Do të qëndrojë atje për gati një muaj e 35 ditë. Duhet stërvitje që në terminologjinë e alpinizmit quhet "ç'klimatizim" pasi duke u ngjitur në lartësi oksigjeni është i pamjaftueshëm më sqaron ai. Në lartësi ka rreth 30 përqind oksigjen dhe trupi nuk mbushet me ajër si normalisht. Duhen më pak se dy javë që të mësohet trupi me mungesën e oksigjenit, por pas disa ditësh mëlçia fillon dhe prodhon një hormon që stimulon përshtatjen e trupit me klimën atje lart,- më tregon ai thjesht dhe pa shumë terma pasi me siguri e kupton që jo shumë njerëz (përfshirë edhe unë) marrin vesh nga këto punët e alpinistëve.

- Gjergji, e di që kur lexova në media se Bojaxhi vendos të ngjis Everestin, thashë më vete:- ç'ta ketë inatosur kaq shumë vallë që po e bën këtë?
Ai qesh pak, dhe më thotë se është interesante intuita ime edhe në këtë rast dhe nënvizon: - Shiko, nuk ishte edhe ndonjë inat i madh por doja të jepja edhe një mesazh...

- Kujt?
Qesh sërish, dhe më thotë: - Ju, qytetarëve, politikës.

- Ke të drejtë, unë e marr mesazhin kështu. Ndoshta keni dashur të thoni se është më mirë të ngjisësh Everestin sesa të arrish në karriget tuaja? Ndoshta?

- Ndoshta! Gjithkush gjen mesazhet e tij. Nuk më vjen mirë që pas 6 vitesh jete publike, ku unë besoj se kam dhënë gjithçka nga vetja ime. Nuk jam përpjekur, por kam dhënë maksimumin në një rrugë të sinqertë dhe me pasion. Sot jam në një moment që dua të mos mendoj për politikën. Dhe ka një problem që këtu pushteti ngatërrohet më karrigen, ndërsa politika me pushtetin. Unë gjithmonë e kam parë pushtetin si një podium ku çdokush mundet t'i flas publikut idetë e tij, dilemat, dhe projektet e të tashmes e të ardhmes bashkë. Fatkeqësisht nuk funksion kështu.

- Ato zërat se do të jeni në krye të AAK-së? Ka diçka të vërtetë?
-Ka sigurisht. Por kam patur propozime edhe nga ata të tjerët.

- Kush, partia e Topit?
-Po, pohon ai,- por nuk kam marrë asnjë vendim. Gjithçka do ta vendos pas Everestit.

- Në PD nuk ka më asnjë grimcë shprese?
- Jo, nuk besoj. Pastaj çdo bëj unë në PD, e thotë më një pamje e cila duket si në një film që personazhi kryesor pasi ka luftuar me të gjitha mjetet është dorëzuar dhe atë që e ka dashur aq shumë dikur tani nuk e do më dhe as i dhimbset.

- Ju nuk më keni ngjarë me njerëzit që parapëlqen PD-ja, (ishte mendimi im i hershëm në 2007, ajo intuita që pak më lart e cika por nuk e artikulova) dua të jem e sinqertë. Pse atëherë bënit për PD-në dhe tani s'keni ç'bëni aty?
- Unë jam larguar më rrëfen ai, kur isha në vit të 4 gjimnaz. Ishte koha kur u rrëzua sistemi. Dhe në '91, në PD ishin figura intelektuale dhe me vete kisha marrë atë shije të hollë e të mirë. Në 13 vite në SHBA kam menduar të kthehem dhe kur erdha ishte si të realizoje një gjë të shumëpritur. Asgjë nuk mund ta njohësh mirë pa qenë brenda. Më lejo të të komplimentoj për intuitën. Femrat e kanë të gjitha shumë të të zhvilluar se meshkujt , - më thotë ai me një ton disi të ndryshuar dhe më miqësor. Ai duket pak distant. Nuk është tipi i njeriut që të bën të ndihesh sikur e njeh prej vitesh, madje besoj se ai edhe po të vlerësojë nuk e shpreh me fjalë. Më tej unë institstoj të gërmoj tek ish-PD-ja e tij.

- Por ju nuk patët një thyerje të menjëhershme. Kurba lëvizi, pas 2009 sërish. Ju u caktuat në krye të policisë ndërtimore?
- Shumë e kanë komentuar atë rikthim, si një mundësi të dytë që më dha Berisha dhe që unë nuk dita ta shfrytëzoj. Më duhet të të sqaroj diçka
që të dal tek pyetja juaj. Nuk janë partitë as 4, 5 apo 10 veta që vijnë nga jashtë (përfshi dhe mua) që e ndryshojnë këtë vend. Janë sistemet! Këtu nuk ka një sistem, ndaj unë nuk jam shumë optimist. Do të largohet PD dhe do të vij PS. Ku do të jetë ndryshimi? Nëse do të jetohet dhe bëhet politikë mbi të njëjtin sistem të kalbëzuar. Është deformim i madh dhe duhet ta zgjidh vetëm qytetari përmes votës së tij. Mendoj që kur shoqëria të jetë gati nuk do të lejoj që të votojë parti si LSI që janë parti SHPK.

 - Po këtu nuk është faji i LSI, e as i shoqërisë. Këta jemi ne. Jemi të varfër dhe nuk e kemi votën të paprekshme si gruan në shtëpi!
- Ke të drejtë, ndaj dalim tek ajo që po të thoja unë që është problem i sistemit dhe atë asnjëherë nuk do ta ndryshojë politika por shoqëria.

- Si?
- Me nje mesazh të fortë në zgjedhje. Elektorati duhet të dijë si të vendos në presion politikën. Mundet edhe ta bëj.

- Ishte vërtet mundësia e dytë që ju dha Berisha? Kur e kishit humbur të parën?
Ai nuk përgjigjet menjëherë por as nuk ka ndonjë shenjë paniku, apo qoftë edhe të ndonjë emocioni negative sado të vogël. Është i qetë dhe i shtruar në atë që mendon.
- Me siguri gjithmonë problem ka qënë stili i punës time. Por besoj që me LSI në 2009 unë nuk isha më përqasja e kohës. I duhesha në 2007 kur KESH ishte në një situatë të vështirë dhe PD në zgjedhjet lokale kish dalë blozë. Ritmet ndryshojnë shpesh në politikë, dhe duhet që edhe t'i të ndryshoh bashkë me të. Kur kjo nuk ndodh atëherë nis loja e përjashtimit. Gjithmonë kam menduar, nis ai të më tregojë një nga refleksionet e tij.

-Si ka mundësi që shqiptarët, ne të gjithë nuk falim komshiun që na ka lënë plehrat te dera. Nuk falet vëllai që ka marrë disa metra tokë vjedhurazi nga prona e trashëguar, nuk falen fëmijët, gratë, prindërit. Nuk falet kollaj në këtë vend ndërsa disa burra që kanë 20 vjet që gënjejnë, që i lodhin, që po ju brejnë të tashmen dhe po ju mohojnë të ardhmen ata i falin, dhe shkojnë e votojnë.

- Ndoshta është ves i diktaturës. Po pse jo dhe një mungesë alternative, i them atij. Pastaj Gjergji, ne jem vend rrogash. Personalisht jam zhgënjyer shpesh por kam votuar gjithmonë. Ky fakt s'më bën mua fajtore. Unë kam të drejtë të shpresoj.
Ai më shikon dhe më sy nuk bie dakord duke lëvizur kokën me dyshim.
Ndërsa ai i përgjigjet dikujt në telefon unë futem në mendime dhe flas me vete se kur vendos të ngjisësh Everestin, edhe pse nuk ka qënë ajo ëndrra por një tjetër, një ngjitje në politikë, podiume, aty ku oksigjeni prej kohësh është më i pakët dhe të gjithë janë ç'klimatizuar, të gjithë në garën e ngjitjes kanë humbur sensing e zbritjes, diçka të ka zhgënjyer dhe ke frikë si ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë.

Unë besoj se e kuptova mesazhin e Gjergj Bojaxhi. Shpresoj që mesazhi i tij të mbërrij dhe tek ju që do të lexoni këtë profil dhe tek ata që kanë frikë të ëndërrojnë.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Deputetët e Kosovës poshtërojnë ata të Shqipërisë me rezultatin 5-0 në miqësoren e Prishtinës

Deputetët e Kosovës poshtërojnë ata të Shqipërisë me rezultatin 5-0 në miqësoren e Prishtinës