TIRANE - Kandidati i pavarur për Tiranën Gjergj Bojaxhi ka reaguar nëpërmjet një njoftimi për mediat lidhur me deklaratat e Veliajt për denoncimet qe ky i fundit ka berë për parkun e liqenit. Ai i ka kthyer përgjigjje kandidatit të majtë edhe lidhur me emrat e atyre ndërtuesve që denoncon Bojaxhi në deklaratat e tij duke i thënë se ato mund ti gjejë në listën e të ftuarve të dasmës së tij.

“Deklaratat e Zotit Veliaj kanë në fakt për qëllim të largojnë vëmendjen e publikut nga denoncimet që unë i kam bërë bashkëpunimit sistematik mes zotërinjve Rama, Berisha dhe Basha për shkatërrimin e parkut të liqenit. Në vend që të merret me mua, zoti Veliaj duhet t’u bëjë të qartë qytetarëve qëndrimin e tij për kthimin e Parkut të Liqenit në shesh ndërtimi”- tha Bojaxhi në reagimin e tij.
 
Bojaxhi në reagimin e tij tha se deklaratat e Veliajt janë përcmuse dhe fyese dhe se kandidimi për bashkinë e Tiranës është një shprehje e vullnetit të lirë dhe se janë disa çështje që sipas Bojaxhi  është Veliaj që duhet ti përgjigjet, ndër të cilat ndërtimet e parashikuara në territorin e tiranës.

Ja deklarata e plotë e Bojaxhi:
Zoti Erjon Veliaj përsëriti edhe dje deklarata kundër kandidimit tim dhe denoncimeve që unë i kam bërë ndërtimeve në Parkun e Liqenit.
 
Kandidimi im për Bashkinë e Tiranës është shprehje e vullnetit të lirë të rreth 14 mijë qytetarëve të ndershëm. Deklaratat e Zotit Veliaj janë fyerje e përçmim edhe për këta qytetarë, të cilët Zoti Veliaj i konsideron me sa duket ose budallenj të mashtruar prej meje ose si “të Saliut”.
 
Deklaratat e Zotit Veliaj kanë në fakt për qëllim të largojnë vëmendjen e publikut nga denoncimet që unë i kam bërë bashkëpunimit sistematik mes zotërinjve Rama, Berisha dhe Basha për shkatërrimin e parkut të liqenit
 
Në vend që të merret me mua, zoti Veliaj duhet t’u bëjë të qartë qytetarëve qëndrimin e tij për kthimin e Parkut të Liqenit në shesh ndërtimi. Konkretisht ai duhet t’i përgjigjet këtyre pyetjeve:
  • A do e anullojë Zoti Veliaj vendimin Rama-Berisha-Basha për kthimin në tokë ndërtimi të rreth 70 hektarëve sipërfaqe përgjatë kurorës së Parkut të Liqenit? Unë do ta anulloj këtë vendim me referendum të qytetarëve të Tiranës.
  • A do e lejojë  Zoti Veliaj ndërtimin 15 katësh në pjesën e parkut përballë Fakultetit Ekonomik, i cili është në tavolinën e Kryetarit të Bashkisë për firmë? 
  • A do i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet masive të planifikuara në pjesën e parkut në krah të Korpusit të Universitetit, mbi Akademinë e Arteve? 
  • A do i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet e planifikuara në territorin ku është sot Garda? 
  • A do t’i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet në trekëndëshin, që sot është parkim, në fillim të digës së liqenit? 
  • A do t’i lejojë Zoti Veliaj ndërtimet që kanë filluar dhe të tjera që po përgatiten të fillojnë poshtë Digës së Liqenit? 
Unë nuk do t’i lejoj.

Pak ditë më parë, Zoti Veliaj kërkoi që unë t’u vë emër demoncimeve të mia. Emrat e atyre që qëndrojnë mbrapa ndërtimeve të mësipërme, Zoti Veliaj mund t’i gjejë në listën e të ftuarve në dasmën e tij.
 
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)