Dje Sali Berisha ka mbajtur një konferencë shtypi rreth 60 minuta ekskluzivisht me shpifje dhe lajme falso kundër meje (dhe kundër SPAK). Monologu i “prokurorit Berisha” kundër meje u transmetua live nga disa televizione duke përfshirë RTSH 24 dhe Klan News, pra dy televizione me licencë kombëtare, një nga të cilat i paguar me lekët e taksapaguesve, pra edhe me lekët e mia. Duke e ditur që nuk jam as një politikan as një zyrtar, por thjesht një gazetar, pronar i një media, çfarë mundësie më është ofruar nga këto media që kanë detyrime të veçanta ndaj ligjit, për të garantuar integritetin dhe dinjitetin tim ndaj kësaj hakmarrje primitive dhe shpifëse të një ish-presidenti dhe ish-kryeministri nën hetim, që nuk përfaqëson më asnjë parti politike? A i takon Autoritetit të Mediave Audiovizive të reagojë?

Dy persona si Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi që janë nën masa parandaluese, sa janë të besueshëm kur shprehin gjykime për gjyqtarët dhe prokurorët që i hetojnë? Dhe sa të besueshëm janë ata kur shprehin gjykime ndaj gazetarëve që shkruajnë për ato hetime?

Në të dyja rastet, gjykimet e tyre janë të manipuluara nga një konflikt i dukshëm interesi.

Po atëherë, është etike që televizionet kombëtare duke përfshirë kanalin publik i ofrojnë hapësirë pafund duke dhuruar megafonin për një fushatë shpifëse pa oponencë kundër organeve të drejtësisë dhe disa mediave?

Nëse ata dy persona do të ishin seriozë dhe të bindur se nuk kishin bërë asgjë të keqe, duhet të heshtin duke pritur që drejtësia t'i shpallë të pafajshëm. Në të kundërt, nëse ndihen fajtorë, ata sulmojnë gjyqtarët, prokurorët dhe gazetarët në përpjekje për të delegjitimuar që tani verdiktin e paepur të drejtësisë. Në çdo rast media dhe veçanërisht TV kombëtare dhe kanali publik duhet të reflektojnë seriozisht mbi rregullat profesionale dhe etike që ekzistojnë edhe brenda së drejtës për informim dhe fjalës së lirë.