Prej 1 janarit të këtij viti për herë të parë në Shqipëri në sigurimin e makinave po ndikon edhe historiku i dëmeve, pra aksidentet e kryera gjatë vitit të kaluar. Të rregulltit, marrin bonus ose ulje siguracioni, kurse problematikët marrin malus, që do të thotë shtrenjtim siguracioni.

Në rastet e dëmeve ndëshkimi, mund të bëjë që primi i sigurimit të shtrenjtohet deri në 40 përqind. Ndërsa për drejtuesit e rregullt, bonusi, apo shpërblimi nuk shkon më shumë se një ulje 5 përqind e vlerës së sigurimit.

Ky zhbalancim i skemës është kritikuar në komisionin parlamentar të Ekonomisë, të cilët e panë si  favorizim të kompanive të sigurimit, dhe vitin e kaluar, kërkuan të shtohen faktorët e riskut, dhe të mbështeten më shumë drejtuesit e rregullt me bonus.

Por këto kërkesa të reflektuara në një projekt-rezolutë për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, nuk u miratuam në Kuvend gjatë sesionit të kaluar parlamentar, me argumentin se në seancë mungonte titullari i institucionit.

Report TV iu drejtua me një kërkesë zyrtare AMF-së për këtë rregullore, dhe në përgjigje thuhet se nuk është në plan rishikimi i saj.

“Duke qenë se ky është viti i parë i implementimit të sistemit bonus-malus në këtë formë të plotë, aktualisht nuk është në plan rishikimi i saj. Fokusi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është monitorimi i zbatimit praktik të rregullores dhe vlerësimi i efekteve të saj në treg, përpara ndërmarrjes së çdo iniciative për ndryshime të mundshme në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

 

Në përgjigje AMF thotë se nuk ka një përqindje fikse përfitimi apo ndëshkimi në vlerën e siguracionit, pasi varet nga disa faktorë.

“Për sa i përket përqindjes mesatare të bonusit dhe malusit të aplikuar nga shoqëritë e sigurimit gjatë këtij viti, sqarojmë se këto vlera varen nga profili individual i riskut të çdo drejtuesi mjeti dhe nga politikat tarifore të miratuara nga secila shoqëri sigurimi, në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi. Si rrjedhojë, nuk ekziston një përqindje e vetme mesatare e standardizuar që aplikohet në mënyrë uniforme në treg”, thuhet në përgjigje.

Në primin e sigurimit që paguhet për autoveturën, llogariten 7 faktorë risku, nga fuqia motorike, mosha e të siguruarit, eksperienca në drejtim, pronësia e mjetit, qarku i regjistrimit, vjetërsia e mjetit dhe historiku i dëmeve.

SIGURACIONI I MAKINËS/ FAKTORËT E RISKUT
Fuqia motorike                        Mjetet me fuqi më të vogël tarifohen më pak
Mosha e të siguruarit                   18 – 21 vjeç tarifohen më tepër
Eksperienca në drejtimin            deri 2 vjet, tarifohet më tepër
Pronësia i mjetit                                    subjekt/individ
Qarku i regjistrimit                    Berat, Dibër dhe Kukës tarifohen më pak
Vjetërsia e mjetit                     Mjetet e reja tarifohen më pak se të vjetrat
Historiku i dëmeve                        Pa dëme bonus, me dëme malus

Kërkesa e deputetëve në komisionet parlamentare ishte që të shtoheshin faktorët e riskut, në mënyrë që skema të stimulojë ‘ecjen korrekte’ në rrugët e vendit, dhe vendi të mos ndahet vetëm në 4 qarqe siç aktualisht është. Kush ka mjetin e regjistruar në Berat, Dibër dhe Kukës kanë më pak sigurim, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e vendit paguan më shumë